Demokratët përsërisin precedentin, Fredi Beleri fiton bashkinë e Himarës nga burgu. Shpërthen festa
Partia Demokratike përsërit precedentin e Azgan Haklajt (u zgjodh deputet ndërsa ishte në burg) në Himarë. Kandidati i Bashkë Fitojmë Fredi Belerin ka mundur të sigurojë fitoren nga burgu për të drejtuar këtë bashki për 4 vitet e ardhshëm. Beleri ka fituar me një rezultat të ngushtë ndaj socialistit Jorgo Goros.
Me këto brohorima mbështetësit e Fredi Belerit kanë pritur fitoren e tij në krye të bashkisë së Himarës.
Me vetëm 19 vota diferencë ai arriti të mundë me kutinë e fundit rivalin e tij Jorgo Goro, i cili kandidoi nën siglën e Partisë Socialiste.
Pas deklarimit nga KZAZ të rezultatit 3818 për Goron dhe 3837 për Belerin, edhe kryetari i PBDNJ në koalicion me Bashkë Fitojnë shprehu vlerësimin e tij.
Në fakt zona jugore e Shqipërisë mund të konsiderohet si ngjarja më e debatueshme në këtë proces të votimit.
Fredi Beleri u ndalua 15 minuta pas mesnatës së të enjtes në restorantin e tij nën akuzën se do të blinte 8 vota kundrejt 40 mijë lekëve, e për këtë policia deklaroi se kishte prova të plota për ta akuzuar.
Më tej ndaj tij u mor masa arrest me burg, ndërsa dosja i kaloi SPAK ku pritet të rivlerësohet qëndrimi ose jo në burg deri në përfundimin e procesit gjyqësor.
Tashmë do të duhet të shihet se si do të veprojë KQZ në dhënien e mandatit, teksa Greqia ka kërkuar nga qeveria shqiptare lirimin e ish-kreut të OMONIA-s.
Por edhe pse u shtua se kjo do të cënonte marrëdhëniet mes dy vendeve, qeveria shqiptare u përgjigj se kjo është një çështje që i përket drejtësisë.
Himarë
Dhionisios Alfred Beleri BF- 50.12%
Jorgo Goro PS -49.88%