Celibashi nuk njeh as Alibeajn, as Berishën: PD të zgjidhë situatën brenda saj sa më shpejt!
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka reaguar lidhur me situatën që gjendet Partia Demokratike për procesin e zgjedhjeve për zgjedhjet vendore të 14 majit. Kreu i KQZ, Ilirian Celibashi, tha se nuk njeh as PD-ne e Alibeaj e as PD-në e Berishës, por vetëm atë që parashikon ligji.
"Nuk mund të bëjmë sikur nuk po ndodh asgjë nëse partia kryesore e opozitës mund dhe të mos regjistrohet ose mund të regjistrohet jo sipas parashikimeve".
Ky ishte paralajmërimi por edhe apeli i kryekomisionerit zgjedhor për Gjykatën e Apelit mbi regjistrimin e Partisë Demokratike në votimet e datës 14 maj.
Përballë dy listave të dërguara për anëtarët e KZAZ dërguar nga grupi i Sali Berishës dhe Alibeajt, tha se vendimi do të merret sipas ligjit dhe pa ndikim nga kërcënimet.
Koha u shpreh ai është e mjaftueshme që palët të reflektojnë e ti japin një zgjidhje.
Celibashi: Ne nuk e njohim realitetin politik të momentit, pasi qoftë dhe si individ i ndjek dhe i shikoj zhvillimet. Kjo vendimmarje do jetë rrjedhojë e gjykimit tim. Është ky fakt, pra kemi dy propozime për anëtarë të KZAZ-ve nga z. Indrit Sefa është përfaqësuesi i PD-së në KQZ; kemi dhe një propozim të sjellë nga z. Flamur Noka të sjellë në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të PD-së.
Dhe në fakt jemi në proces të verifikimit të dokumentacionit mbi propozimet për anëtarë të KZAZ-ve jo vetëm për PD-në por edhe për 3 partitë e tjera që kanë të drejtë. E njëjta procedurë do të njihet nga ne, por ka të shtuar këtë aspekt se kush është ai që ka të drejtë të bëjë propozimet për anëtarë të KZAZ-së.
Është ky realitet dhe mua më vjen keq që gjendemi në këtë situatë, jo për KQZ-në. Nuk kemi asnjë lloj interesi dhe simpatie politike tej komenteve që çdokush bën jashtë këtij institucioni. Kjo vendimmarrje do të jetë në respekt të ligjit.
Do të ishte më rëndë nëse dikush do ta komentonte se kjo vendimmarrje është urdhëruar nga dikush jashtë. Një gjë është e sigurtë që kërkesa si për rastin e komisionerëve ashtu dhe për regjistrimin e Partisë Demokratike, ne do të vendosim sipas asaj që njeh ligji. Ne do të disponojmë vetëm për një PD dhe është vetëm një person që ne njohim dhe ka juridiksionin për PD-në.
Do të ishte mirë që kjo çështje do të duhej të ishte zgjidhur, sepse flasim për partinë kryesore të opozitës. Sa nuk është vonë që gjithkush që mundet ta zgjidhë këtë situatë, pasi ne nuk kemi asgjë në dorë, kështu që është e kotë të ndikojmë. Sa nuk është vonë do të duhet që gjithkush në pikëpamje institucionale apo politike të japë kontributin për ta zgjidhur. Nuk mundet sikur të bëjmë sikur nuk do ndohë asgjë, pasi PD-ja edhe mund të mos regjistrohet. Nuk mund ta injorojmë këtë situatë.
Deri më tani për Partinë Demokratike të drejtuar nga Sali Berisha ka dhënë vendim gjykata e shkallës së parë, duke e njohur zgjedhjen e tij si kryetar.
Por kjo nuk është zbardhur në regjistrin e partive, ndërsa Alibeaj e ka dërguar çështjen në Apel.
Ndaj dhe në gjykatë mbetet dhe emri i Bashës si kryetar por duke mandatuar Alibeajn.