Celularë dhe laptope të sekuestruara në Manzë, Qyno: Operacioni i SPAK s’u finalizua, anëtarë të MEK dyshohen për spiunazh
Policia ka sekuestruar disa laptope dhe pajisje të tjera elektronike, por mbetet e paqartë nëse do të mund t’i shërbejnë hetimit të Prokurorisë së Posaçme, e cila deri tani nuk ka bërë një deklaratë sa i përket të dhënave.
Ky aksion i policisë u shoqërua me përplasje mes efektivë dhe muxhahedinëve të cilët kundërshtuan aksionin dhe akuzuan policinë për dhunë.
Ndërkohë të paktën 19 prej tyre ndodhet tek Trauma dhe 3 të tjerë në QSUT për të marrë trajtim mjekësor.

Lidhur me këtë ngjarje të paprecedentë gazetari i “Ora News” Elton Qyno bëri me dije se bëhet fjalë pëtr një operacion të ngritur mbi bazën e dyshimeve për aktivitet kriminal në vendin tonë nga anëtarë të opozitës iraniane.
“SPAK ka pasur informacionet e nevojshme për të bërë një ndërhyrje pikërisht në kampin më të madh të opozitës iraniane në Shqipëri, ku ndodhen rreth 3 mijë persona.
Gjykata e Posaçme dje ka miratuar kontrollin e prokurorëve në çdo ambient të kampit, por kontrolle janë kryer edhe në zonën e Astirit dhe zona të tjera ku ndodhen këta anëtarë, apo grup popullsie që ndodhen në Shqipëri të cilët kanë marrë apartamente në qytetin e Tiranës, ku besohet se ushtrohet aktivitet kriminal sa i përket spiunazhit. Ndaj është kërkuar një prani e madhe e forcave policore që në orët e para të mëngjesit.
Qëllimi ka qenë vetëm për kontrolle, jo për arrestime siç u raportuan në fillim.
Hetimet e SPAK janë përqëndruar edhe në bazë të informacioneve që kanë ardhur nga agjencitë e huaja në vendin tonë.
Shqipëria të mos harrojmë se 2 vite më parë bëri largimin e trupit diplomatik të Iranit, ndërsa edhe 1 vit më parë bëri kontrolle të ndryshme ndaj disa prej anëtarëve të opozitës iraniane, të cilët dyshoheshin se kishin të bënin me spiunazh.
Të mos harrojmë se këta shtetas gëzojnë të njëjtat të drejta siç gëzojnë qytetarët shqiptarë, dhe kontrolli i sotëm nuk ka qenë asgjë më shumë se një kontroll rutinë që mund të ushtrohet ndaj çdo shtetasi shqiptar. Pra e njëjta procedurë është ndjekur.
Por për shkak se kjo është një popullsi jo vendase, është organizuar në mënyrë të befasishme një rezistencë e posaçme ndaj forcave të policisë, të cilët nuk kanë mundur ta çojnë deri në fund ekzekutimin e vendimit të GJKKO-së për kontrollin e të gjithë objekteve.
Informacioni për pasjen e një viktime ka ardhur nga vetë zëdhënësi i MEK-ut, policia e ka mohuar në mënyrë të vazhdueshme një gjë të tillë. Kemi 32 persona të plagosur dhe lënduar. Situata është përshkallëzuar në momentin kur policia ka nisur konfiskimin e telefonave, lap-top-eve, USB, hard-disqeve dhe çdo material elektronik që policia ka gjetur dhe kjo ka bërë që situata të përshkallëzohej duke detyruar policinë të përdorte gazin lot-sjellës.
Flitet për një asfiksim të këtij individi nga gazi, ku në kamp kemi persona në moshë madhore. Sigurisht që ka pasur përplasje mes policisë dhe këtyre personave, dhe kundërpërgjigjja ka qenë në proporcion të drejtë me dhunën e ushtruar nga ata, të cilët kanë sulmuar me sende të forta ndaj tyre”, u shpreh gazetari Elton Qyno.






