BRUKSEL/ Shqipëria hap të gjithë kapitujt me BE, Rama: Dalim me krenari dhe përgjegjësi më të madhe nga faza e parë!
Kryeministri Edi Rama tha në konferencën e përbashkët për mediat në Bruksel Shqipëria ka bërë hapa të jashtëzakonshëm, duke shtuar se deri në 2027 të kenë mbyllur grupkapitujt.
Ai theksoi se koha kur BE ishte “i ashpër” me Shqipërinë e ka bërë vendin më të fortë, dhe se nga kjo gjë janë bërë më të fortë.
“Vetëm pak kohë më parë dukej e pamundur dhe ishim në pikën ku po mësoheshim me sprapsjet dhe grushtat në stomak, por unë besoj se ai rrugëtim na bëri më të fortë, më të vetëdijshëm për të gjithë atë natyrë të jashtëzakonshme të procesit dhe më të pjekur.
Ja ku jemi sot këtu, me atë që ishte vetëm ëndërr pak më tepër se një vit më parë, është transformuar tashmë në një plan pune, një realitet me të cilin do punojmë në jetën e përditshme.
Pa fjalë formale, dua të falenderoj me zemër Marien dhe Marta. Marien për transformimin e fjalëve të presidencës daneze në vepra për zgjerimin duke mbështetur dhe inkurajuar për të ecur përpara dhe marta që është kampione e procesit të anëtrarësimit të Shqipërisë dhe Ballkanin Perëndimor.
Me zjarr dhe vullnet të fortë, që na bën të gjithë të ndihemi plot energji dhe në borxh nëse nuk realizojmë në kohën e duhur. Jam i frymëzuar nga këto muaj dhe nga mbështetja e fortë që procesi i zgjerimit dhe i ribashkimit të Evropës po merr.
Do bëjmë gjithçka kemi në dorë për të ecur përpara me të njëjtin intensitet, disiplinë dhe punë të madhe për të dhënë rezultare që ky proces që po ndërtojmë gur pas guri të mos ndalet. Sot Shqipëria del me krenari nga kjo fazë e parë dhe madje me ndjenjë edhe më të madhe përgjegjësie.
Ne nuk përfaqësojmë këtu parti politike, por një komb të tërë që mbështet si askush tjetër BE dhe anëtarësimin në BE më shumë sesa 90% e qytetarëve tanë.
Jam i sigurt që ata shumë pak që janë në këtë përqindje të vogël që mbetet, thjesht nuk do të ketë qenë ditë e mirë kur është bërë sondazhi se vështirë të mendojë ndonjë shqiptar që mendon se anëtarësimi në BE nuk është ideja më e mirë dhe horizonti drejt të cilit duhet të synojmë për fëmijët tanë.
Dua të shtoj se qoftë, ajo mënyra e fortë dhe e butë me të cilën jemi përballur na ka mësuar: kurrë mos merr asnjë gjë të mirëqenë në Bruksel. Kur të buzëqeshin shijoje por mos e mer të mirëqqenë.
Mund t’ju zhduket nga fytyra sa hap e mbyll sytë. Kështu vazhdo, puno fort dhe përgjigju me përulësi dhe rezultatr. Këto dy gjëra janë ato gjëra që këta vlerësojnë më shumë.
E kam thënë me mentorin tonë, KE dhe të urtët nga ana tjetër, shtetet anëtare jemi në duar të mira nëse nuk, harrojmë se është puna e duarve tona që ka rëndësi jo për ta por për ne. Për popullin shqiptar dhe brezin e ardhshëm”, tha Rama.
Deri më tani Shqipëria ka hapur pesë nga gjashtë grupkapitujt negociues: Themeloret, Marrëdhëniet me Jashtë, Tregun e Brendshëm, Konkurrueshmërinë dhe Rritjen gjithëpërfshirëse, si edhe Axhendën e Gjelbër. BE ka shprehur optimizëm se vendi mund ta përmbyllë procesin e integrimit deri në vitin 2030, ndërsa kryeministri Rama e ka shpallur anëtarësimin si prioritet kryesor të mandatit të tij të katërt qeverisës.
Procesi negociues ka vijuar me ritme të shpejta që prej 19 korrikut 2022, kur Shqipëria u ul në konferencën e parë ndërqeveritare dhe çeli zyrtarisht negociatat. Më 15 tetor 2024, nën presidencën hungareze, në Luksemburg u mbajt konferenca e dytë ndërqeveritare ku u hap grupkapitulli i parë, ai i Themeloreve, ndërsa më 17 dhjetor të të njëjtit vit nisën bisedimet për kapitullin e dytë, Marrëdhëniet me Jashtë.
Në prill dhe maj 2025 u hapën përkatësisht grupkapitulli i Tregut të Brendshëm dhe ai i Konkurrueshmërisë dhe Rritjes gjithëpërfshirëse, ndërsa më 15 shtator 2025 Shqipëria çeli bisedimet për grupkapitullin e pestë, Axhendën e Gjelbër.
Konferenca e sotme, e shtata me radhë, është e fundit në ciklin e hapjes së të gjashtë grupkapitujve dhe pritet të hapë rrugën për përmbylljen e procesit teknik deri në vitin 2027. Pas kësaj faze, vendi do të hyjë në procesin politik të integrimit, që kërkon miratimin e anëtarësimit nga parlamentet e të 27 shteteve të BE.



