NDODH NË BRUKSEL/ Shqipëria hap të gjithë kapitujt e negociatave me BE, Kos: Sukses i Shqipërisë

Shqipëria hapi negociatat me BE edhe për grupkapitullin e fundit. Komisionerja Marta Kosi vlerësoi punën e vërë nga vendi ynë, duke ehte se është rezultat i punës së autoriteteve për zbatimin e reformave.

Kos tha se BE është e përkushtuar që Shqipërinë ta integrojë në BE.

"Sot është një ditë e veçantë jo vetëm për Shqipërinë që hap të gjithë kapitujt, por edhe për BE. Sot tregon se BE ofron rezultate dhe mund të mbështetemi tek Shqipëria.

Ky sukses nuk do ishte i mundur pa angazhimin Shqipërisë dhe mbështetjen e gjithë shteteve anëtare për të mbështetur Shqipërinë, jemi të përkushtuar ta sjellim Shqipërinë në BE, suksesi është i Shqipërisë, rezultat i punës së autoriteve për zbatimin e reformave të rëndësishme.

Është rezultat i qytetarëve shqiptarë që kërkojnë ndryshim dhe i mbështesin këto ndryshime. Shqipëria është shembulli më i mirë i fuqisë transformuese të zgjerimit, kur jepni rezultate, ju ecni para, jeni frymëzim për Ballkanin perëndimor.

Çelja e të gjithë grupkapitujve është sukses, por mbyllja e tyre është çmimi real. Suksesi real është se sa shpejt miratoni dhe zbatoni legjislacionin real", tha Kos. 

Deri më tani Shqipëria ka hapur pesë nga gjashtë grupkapitujt negociues: Themeloret, Marrëdhëniet me Jashtë, Tregun e Brendshëm, Konkurrueshmërinë dhe Rritjen gjithëpërfshirëse, si edhe Axhendën e Gjelbër.  BE ka shprehur optimizëm se vendi mund ta përmbyllë procesin e integrimit deri në vitin 2030, ndërsa kryeministri Rama e ka shpallur anëtarësimin si prioritet kryesor të mandatit të tij të katërt qeverisës.

Procesi negociues ka vijuar me ritme të shpejta që prej 19 korrikut 2022, kur Shqipëria u ul në konferencën e parë ndërqeveritare dhe çeli zyrtarisht negociatat. Më 15 tetor 2024, nën presidencën hungareze, në Luksemburg u mbajt konferenca e dytë ndërqeveritare ku u hap grupkapitulli i parë, ai i Themeloreve, ndërsa më 17 dhjetor të të njëjtit vit nisën bisedimet për kapitullin e dytë, Marrëdhëniet me Jashtë. 

Në prill dhe maj 2025 u hapën përkatësisht grupkapitulli i Tregut të Brendshëm dhe ai i Konkurrueshmërisë dhe Rritjes gjithëpërfshirëse, ndërsa më 15 shtator 2025 Shqipëria çeli bisedimet për grupkapitullin e pestë, Axhendën e Gjelbër.

Konferenca e sotme, e shtata me radhë, është e fundit në ciklin e hapjes së të gjashtë grupkapitujve dhe pritet të hapë rrugën për përmbylljen e procesit teknik deri në vitin 2027. Pas kësaj faze, vendi do të hyjë në procesin politik të integrimit, që kërkon miratimin e anëtarësimit nga parlamentet e të 27 shteteve të BE. 

EMISIONET