BRUKSEL/ Hapen të gjithë kapitujt me BE, ministrja daneze: Shqipëria i përket familjes evropiane

Ministrja daneze e Punëve të Jashtme, Marie Bjerre, në konferencën e përbashkët për mediat me kryeministrin Edi Rama dhe komisioneren Marta Kos, tha se nëse Shqipëria vazhdon me këtë ritëm, do të jetë shumë shpejt anëtare e BE-së.

Ajo tha se Shqipëria i përket familjes evropiane.

“Zgjerimi është përparësi e presidencës daneze. Sot ne po japim një tjetët rezultat, nëse Shqipëria vazhsdon të njëjtin drejtim, të njëjtin ritëm, anëtarësimi do arrihet në një të ardhme të afërt.

Shqipëria i përket familjes evropiane. Falenderoj Ramën për bashëkpunimin gjatë këtij 6 mujori, është mbresëlënëse se sa shpejt po jepni rezultate. Vazhdoni kështu, dhe do të jeni pjesë e BE më shpejt sesa vonë“, tha ajo.

Deri më tani Shqipëria ka hapur pesë nga gjashtë grupkapitujt negociues: Themeloret, Marrëdhëniet me Jashtë, Tregun e Brendshëm, Konkurrueshmërinë dhe Rritjen gjithëpërfshirëse, si edhe Axhendën e Gjelbër.  BE ka shprehur optimizëm se vendi mund ta përmbyllë procesin e integrimit deri në vitin 2030, ndërsa kryeministri Rama e ka shpallur anëtarësimin si prioritet kryesor të mandatit të tij të katërt qeverisës.

Procesi negociues ka vijuar me ritme të shpejta që prej 19 korrikut 2022, kur Shqipëria u ul në konferencën e parë ndërqeveritare dhe çeli zyrtarisht negociatat. Më 15 tetor 2024, nën presidencën hungareze, në Luksemburg u mbajt konferenca e dytë ndërqeveritare ku u hap grupkapitulli i parë, ai i Themeloreve, ndërsa më 17 dhjetor të të njëjtit vit nisën bisedimet për kapitullin e dytë, Marrëdhëniet me Jashtë. 

Në prill dhe maj 2025 u hapën përkatësisht grupkapitulli i Tregut të Brendshëm dhe ai i Konkurrueshmërisë dhe Rritjes gjithëpërfshirëse, ndërsa më 15 shtator 2025 Shqipëria çeli bisedimet për grupkapitullin e pestë, Axhendën e Gjelbër.

Konferenca e sotme, e shtata me radhë, është e fundit në ciklin e hapjes së të gjashtë grupkapitujve dhe pritet të hapë rrugën për përmbylljen e procesit teknik deri në vitin 2027. Pas kësaj faze, vendi do të hyjë në procesin politik të integrimit, që kërkon miratimin e anëtarësimit nga parlamentet e të 27 shteteve të BE. 

EMISIONET