BETEJA E 11 MAJIT/ Përballja kokë më kokë e kandidatëve “të sigurtë” të PS-së e PD-së në 12 qarqet
Me publikimin e listave, drejtuesit e fushatës së PS dhe PD kanë zbuluar edhe emrat që kanë mandatet e sigurta në 11 maj. Megjithatë sfida mbetet dhe ndryshimi i rezultatit të vitit 2021. Për tu njohur më shumë mbi përballjet në çdo qark dhe rezultatin e 2021 ndiqni kronikën në vijim
Pas Tiranës, Fieri është qarku që ka më shumë deputet në parlament me 16 të tillë.
Drejtuesja për PS-në Belinda Balluku do të ketë në ekipin e listës së mbyllir Erjo Milen, Ceno Klosin, Petrit Malajn dhe Ana Nakon, ndërsa në vitin 2021 e majta mori 9 mandate.
Në anën tjetër përballë do të jenë Gazmend Bardhi që në krah do të ketë Luan Baçin, Brunilda Haxhian, Saimir Korreshi dhe Eduart Sharkën, ndërsa katër vite më parë PD e LSI morën 7 deputetë.
Durrësi, po ashtu, pritet të ketë një përballje të fortë, drejtuese politike kryetarja e Bashkisë, Emirjana Sako, do kryesojë fushatën ku në garë në listat e sigurta janë: Klodiana Spahiu, Milva Ekonomi, Loer Kume, Skënder Pashaj dhe Aurora Maran. Katër vite më parë e majta mori aty tetë deputet.
Përballë së majtës fushatën e PD-së e drejton Oerd Bylykbashi i renditur i pari në garë e më tej: Gent Strazimiri, Manjola Luku, Artan Luku dhe Igli Cara. Ndërsa në 2021 e djathta mori 6 mandate nga 14 që janë në total.
Ashtu si Durrësi edhe Elbasani ka 14 deputetë, ku PS kryeson fushatën me Arbjan Maznikun, Bora Muzhaqin, Ermal Elezin, Adi Qosen dhe Evis Kushi, që përballë do kenë Tomor Alizotin si drejtues të fushatës, e më tej: Edmond Haxhinaston, Klodiana Çapjan, Blendi Himçin dhe Aurel Bylykbashin. Ndarja në zgjedhjet e fundit ishte 8 me 6 në favor të PS-së.
Vlora, e konsideruar si bastion i PS-së, nis garën me emrat e sigurtë të kryesuar nga Bledi Çuçi që në krah ka Zamira Sinën, Erjona Ismailin dhe Pirro Vengun, e përballë nga PD do kenë: Bujar Leskajn, Vangjel Dulen, Ina Zhupën dhe Atird Hoxhaj. Katër vite më parë nga 12 deputetë PS-ja kryesoi me 8 duke i lënë vetëm 4 mandate opozitës.
Në Shkodër, dikur bastion i PD-së, fushatën e PS-së e drejton kryebashkiaku Benet Beci, i cili të parën në listë të mbyllur do të ketë Marjana Koçekun, Onid Bejlerin, Xhenis Çelën dhe Bujar Rexhën. Nga ana tjetër, selia blu ka emrin e parë drejtuesin e fushatës Luçiano Boçin, e më tej: Greta Bardelin, Ramadan Likajn dhe Kliti Hotin. Në 2021-n PD-ja fitoi 5 deputetë aty, PS-ja tre, dy PSD dhe 1 LSI.
Korça që zgjedh 10 mandate kryesohet nga PS me Niko Peleshin e më tej Romina Kuko e Genti Lakollari. Nga ana tjetër e llogores janë Ivi Kaso, Bledion Nallbati dhe Ledina Alolli, ndërsa përballja e fundit u nda me 6 me 5 në favor të PS-së, por në 2024-n u hoq një mandat.
Më tej, në Lezhë PS-ja ka si listë të mbyllur Ulsi Manjën dhe Ermal Pacajn, ndërsa PD-ja Agron Gjekmarkajn dhe Elda Hotin. Në 2021-n, PD-ja kryesoi me rezultatin 4 me tre.
Në Berat Ervin Demo dhe Enriketa Jaho janë në listën e PS-së dhe Eno Bozdon dhe Zija Ismaili nga PD-ja. Në 2021-n prej 7 deputetëve PD-ja mori vetëm 2.
Blendi Klosi drejton PS-në në Dibër, i pasuar nga Alma Selami dhe përballë tyre Berisha vendosi Xhelal Mziun dhe Denisa Vatën, ku 4 vite më parë opozita mori 3 deputetë.
Në Gjirokastër palët kanë vetëm nga një emër në listë të mbyllur ku PS-ja garon me Mirela Kumbaron dhe PD-ja me Tritan Shehun, por 4 vite më parë tre deputetë i mori PS-ja.
Edhe në Kukës palët kanë nga një deputet në listë të mbyllur: Eduart Shalsi nga PS-ja dhe Flamur Hoxha nga PD-ja, katër vite më parë rezultati aty shkoi 2 me 1 në favor të PD-së.