Berisha: Soros, agresion për të zhdukur opozitën! Bashkohuni me revolucionin. Kongresi amerikan të hetojë Kim dhe Ramën
Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha nga konventa e grupimit “Dhjetor ’90” deklaroi se opozita shqiptare sot gjendet përballë një agresioni të paprecedentë të kryesuar nga filantropi Xhorxh Soros.
“Nëse nuk guxojmë t’i shohim gjërat drejt në sy, ne nuk fitojmë. Nëse trembemi nga të vërtetat, ne nuk fitojmë. Ne duhet t’i mbrojmë të vërtetat me forcën më të madhe. Ku jemi ne sot? Jemi para një agresioni, natyrisht jo ushtarak, por politik për të zhdukur opozitën shqiptare. Por përse për ta zhdukur opozitën shqiptare? Që Edi Rama të sundojë me peqelepe sa të dojë. Sigurisht një njeri ka luajtur rolin më kryesor dhe ky është Xhorxh Soros, që ndan një ideologji të ekstremit të majtë, armiqësore kryekëput ndaj partive dhe vlerave konservatore. I cili ndan qëndrime armiqësore ndaj kombit shqiptar si ndarja e kufijve apo Ballkani i Hapur që emërtohej në nder të tij”, theksoi Berisha.
Ai i ka bërë sot thirrje Kongresit amerikan, FBI dhe Departamentit Amerikan të Shtetit të hetojnë rolin e Edi Ramës dhe ambasadores Yuri Kim në skandalin McGonigal.
“Po ndalem te skandali i fundit! U faktua se Edi Rama, i biri i xhelatit që vari kundërshtarin politik, poetin disident, kontraktoi vrasës me pagesë: kryezbuluesin e institucionit më kryesor në SHBA, një tradhtar i vendit të tij. Me grupin e tij, i paguar nga Edi Rama, shpallte në televizionet shqiptare, Sali Berishën si kukull të Putinit. Gjithçka për narrativën e shkatërrimit të opozitës. Çështja McGonigal është një çështje shumë e thellë dhe ne do ia themi shqiptarëve. Çështja nuk përfshin vetëm McGonigal. Sot në botë ushtojnë skemat e tij e gjobëvënies. Po kush mori pjesë në këtë skemë? Unë i bëj thirrje Kongresit dhe FBI të hetojë rolin e Edi Ramës dhe Yuri Kim në këtë gjobëvënie. Edi Rama u thoshte të tjerëve se zoti Escobar më ka dorëzuar listën e biznesmenëve që do sanksionohen. Kjo është e vërteta. Yuri Kim thërriste një e nga një biznesmenët në zyrë, pse financoni Foltoren se do sanksionoheni. A ishte kjo një skemë që të shkonin dhe të paguanin te Mark Rossini dhe McGonigal gjobat? Çfarë ishte kjo skemë? Pra, kjo ishte një skemë në të cilën Edi Rama po fuste në dorë, në skllavërim të plotë, biznesmenët me lista, kësaj radhe të dorëzuara nga Lulzim Basha. Po! Po të mos ishte skema McGonigal, nuk kisha të drejtë të bëja asnjë lidhje para jush këtu. Por duhet të jesh naiv të mos bësh këtë lidhje. Prandaj i bëj thirrje Kongresit të SHBA, FBI, Departamentit të Shtetit të hetojë. A ju kujtohet kur në televizionet shqiptare flisnin për 150 të sanksionuar? Çfarë ishte kjo? Bëhuni klientë të McGonigal, përndryshe jeni të sanksionuar”, deklaroi kryedemokrati.
Nisur nga kjo situatë, Sali Berisha theksoi se revolucionin sot do e fitojnë vetëm ata që i besojnë revolucionit të vitit 1990
“Sot është një situatë më kritike, ose po aq kritike sa atëherë. Pse është më kritike? Nuk mund ta mohojmë se revolucioni ynë në vitin 1990 ishte zinxhir. Diktaturat ranë njëra pas tjetrës. E vërteta ishte se për Shqipërinë ishin jo të paktë, po të shumtë ata që mendonin që të qëndrojë siç është, një muze i socializmit, një Kubë në Adriatik. E thotë shumë bukur ish-ambasadori gjerman, Verner Daum. Thotë se qeveritë tona nuk ishin dakord që ët destabilizohej Shqipëria. Në revolucionin tonë atëherë, ishte vetëm një ambasador që na erdhi, ai ishte ambasadori i republikës mike të Hungarisë. Sot ku jemi? Sot jemi në kushtet ku nuk kemi këtë kaskadë. Por a kemi sot një narkoshtet apo një monokraci, një diktaturë krimi nga më të fuqishmet dhe më të rrezikshmet që ka njohur bota ndonjëherë? Për fatin tonë, në 9 vite, PD u denervua, e humbi nervin. Dhe mos mendoni se e kemi fituar plotësisht akoma. PD ka nevojë të frymëzohet nga revolucioni i 90-ës. Revolucionin sot do e fitojnë vetëm ata që i besojnë revolucionit të vitit 1990. Ku ishim në 90-ën? Ishim në grevë urie, në marshime, në qytete e fshatra për të çuar dritën e të vërtetës. Na gjuanin me gurë, na gjuanin me dru, por vazhduam rrugën tonë”, tha kreu i PD-së.
Berisha theksoi se sot kërkohet një vendosmëri dhe një besim për ta larguar këtë regjim, revolucioni nuk kryhet me një ditë.
“Çfarë po ndodh para syve tanë? Shqipëria po tretet, Shqipëria po shuhet, Shqipëria po vdes. Nëse një kombi i ikin në 8 vite 937 mijë vetëm në hapësirën evropiane dhe mbi 1 milion në botë, ku është e ardhmja e tij? Kush do qëndrojë? Ata që nuk ka kush t’i varrosë. Këto janë sirena të tmerrshme alarmi. Pse ta lëmë këtë vend të vdesë në këtë mënyrë? Më kujtohet në vitin 1991 në parlament, ngrihet një ish-sekretar i Komitetit Qendror dhe thotë se: nuk më shkonte mendja kurrë që Enver Hoxha kishte tre dynymë qilima në shtëpi. Po nipi i Spiro Kolekës po blen 4 milionë euro instilacion për të blerë influenca, për të bërë korrupsion, për të blerë mbështetje, për të blerë deklarata, me paratë e atyre që ikin me gomone. Ai përmendi tre dynymë qilima, por Edi Rama bën 22 milionë euro fluturime me avion, sikur të ishte biri i sulltanit. Ai përmendi tre dynymë qilima, por Edi Rama që vjedh nga mënngjesi deri në darkë dhe në çdo akt mbron vjedhjen e tij. A mundemi ne të pajtohemi me këtë situatë? A mundet shqiptarët të pajtohen me këtë situatë? Revolucioni nuk kryhet me një ditë. Partia humbi nervin, po nervi janë idealet. Çfarë ndodhi me ne? Opozitë për të tretën herë pasi shpallëm masakër zgjedhore se ishin zgjedhjet më të këqija në vend, shkuam si dele dhe votuam borxhin e Edi Ramës në parlament. Po kishte gjë më të turpshme? Ia votuam borxhin atij që vjedh çdo qindarkë nga ai borxh. Pra, është e domosdoshme, kërkohet një rimendim i thellë i situatës, kërkohet një vendosmëri dhe një besim për ta larguar këtë regjim”, deklaroi kreu i PD-së, Sali Berisha.