Berisha: Revolucioni i 90-ës triumfoi sepse patët mençurinë të besonit në forcën e lëvizjes paqësore

Grupimi "Dhjetor '90" ka thërritur paraditen e kësaj të shtuneje Konventën Kombëtare për të zgjedhur kryetarin dhe kryesinë.

Gjatë fjalës së rastit në këtë aktivitet, kryedemokrati Sali Berisha vlerësoi se revolucioni i '90-ës triumfoi sepse studentët e asaj kohe patëb mençurinë të besonin në forcën e lëvizjes paqësore.

"Është një kënaqësi e jashtëzakonshme të shpreh nderimin tim, të përulem me nderimin më të thellë para jush, para mijëra bashkëmoshatarëve tuaj, studentë, që me një guxim epik dolët në rrugë, të udhëhequr nga një bashkëmoshatar i juaj, student, të udhëhequr nga Azem Hajdari dhe u përballët dhëmbë për dhëmbë me diktaturën.

Protesta juaj kundër diktatorit dhe diktaturës në rrugët e Tiranës, ishte një kulm i guximit njerëzor. Diktatura e Ramiz Alisë, që ishte diktatura e Enver Hoxhës, ndonëse e lodhur, përsëri ekzekutonte moshatarët tuaj në kufi, i zvarriste kufomat e tyre në qytete për të mbjellë terror, për të mbjellë frikë. Askush nuk mund ta bënte atë që bëtë ju. Ishte guxim, ishte mençuri, ishte taktikë, ishte vendosmëri! Nisët një revolucion demokratik, që përbën faqen më të ndritur të lëvizjes paqësore të shqiptarëve për liri, më të suksesshmen!

E nisët atë revolucion karshi një regjimi që mbante të shtypur për mbi 45 vite kombin e tij, në një diktaturë si asnjë tjetër në Europë dhe botë, në një kasaphanë të luftës së klasës, në një tirani të mjerimit, varfërisë dhe urisë, në një izolim të plotë dhe total. Në një indoktrimin ekstrem! Nuk kishte kushte më të vështira, por forca juaj ishte mbinjerëzore, ishte e jashtëzakonshme.

Revolucioni triumfoi sepse ju patët mençurinë të besonit në forcën e lëvizjes paqësore. U provokuar me dhjetëra herë, se në fakt PD-në ju e themeluat. Shqiptarët ju lartësuan dhe ju quajtën me të drejtë engjëjt e demokracisë. Ju u shpërndatë në katër anët për të themeluar PD-në, ju i sollët Shqipërisë pluralizmin. Të gjitha këto, ju i realizuat në lëvizje paqësore. Edhe kur u vërsulën me plumba, me banda të Sigurimit në antimitingjet e tyre, ju vazhduat programin tuaj", deklaroi kryedemokrati Sali Berisha.

EMISIONET