Berisha: Rama po zbaton doktrinën e Çubrilloviçit për spastrimin etnik të shqiptarëve

Emigrimin masiv të shqiptarëve, ish-kryeministri Sali Berisha e ka krahasuar me doktrinën e  Vaso Çubrilloviçit gjatë Luftës së dytë Botërore dhe pas saj për spastrimin etnik në Kosovë.

Për këtë ai ka shfrytëzuar promovimin e një libri pikërisht mbi ish-Ministrin jugosllav.

Sipas Berishës në 8 vite vendi ynë ka humbur gati 35 përqind të popullsisë, e për këtë shkak bëri humbjen e besimit.

Berisha: Doktrina e Vaso Çubrilloviçit është doktrinë e mirëfilltë e gjenocidit ndaj shqiptarëve. Nuk është i vetëm për fat të keq. Njësoj si ai është dhe Ivo Andriç, i cili për turpin e turpeve ka edhe çmimin Nobel. Në njëfarë mënyrë edhe ky është një lloj racizmi ndaj shqiptarëve. Kthehemi pak te kriza që po kalojmë. Ky është një spastrim etnik bazuar te doktrina e Çubrilloviçit në sensin e krijimit të kushteve të kalkuluara që shqiptarët të largohen nga Shqipëria.

Nga viti 2007 deri në vitin 2014, numri i shqiptarëve në Shqipëri është rritur çdo vit dhe kjo është statistikë e pamohueshme. Nga viti 2014 gjer më sot, ajo pakësohet në mënyrë të rrufeshme sepse janë krijuar kushtet e kalkulueshme për largimin e shqiptarëve nga Shqipëria. Një nga kushtet më themelore është pasiguria e plotë në të cilën sot jetojnë shqiptarët në këtë vend. Vetëm në një vit, në vitin 2015 në mos gaboj, janë arrestuar 37 mijë shqiptarë.

80 përqind u arrestuan për çështje civile, që nuk mund të ndodhë përveçse në atë vend që nuk njeh ligjin, përveçse aty ku bëhet gjithçka për të dhunuar qytetarin, për t’i nxirë jetën, për t’i bërë të pamundur që të jetojë. Statistika e vitit 1946 tregon se u arrestuan 17 mijë shqiptarë, kaq u arrestuan. Pasiguria vjen nga lidhja e qeveritarëve me bandat. A nuk ishte Shullazi që donte të emëronte rektorin, sepse Edi Rama nuk mblidhte dot votat për të emëruar një zonjë? Dhe ai dilte në mes të qytetit dhe i thoshte se të rrëmbej djalin po nuk u largove.

Duke akuzuar se ky është projekt i Soros, Berisha tha se PD do të krijojë politika specifike demografike që janë jetike dhe të domosdoshme për të përballuar shpopullimin.

EMISIONET