Berisha me dy lista këshilltarësh, edhe në koalicionin “Bashkë Fitojmë” edhe te “Aleanca Liberale e Djathtë”

Kandidatët për këshillat bashkiakë të propozuar nga Sali Berisha pritet të jenë në dy lista. Një pjesë në koalicionin Bashkë Fitojmë dhe të tjerë në Aleanca Liberale e Djathtë. Kryekomisioneri Ilirian Celibashi ka regjistruar dy bashkimet e partive, por duke hequr nga lista emrin e Partisë Demokratike të krahut të drejtuar nga Sali Berisha.

Ashtu si në 6 mars të vitit të shkuar, grupimi i Sali Berishës do të regjistrohet në koalicion, por pa emrin dhe siglen e tij. “Bashkë Fitojmë” u regjistrua si subjekt zgjedhor për 14 majin, teksa Ilirian Celibashi lexoi emrat e partive pjesëmarrëse dhe gërmat nistore.

“Indrit Sefa përfaqëson PD-në në KQZ. Prej gati 1 viti është përfaqësuesi i PD-së dhe sa kohë nuk ka një dokument që provon të kundërtën, vazhdon të jetë përfaqësuesi i PD-së në KQZ. Mungon vullneti i PD-së për të qenë pjesë e këtij koalicioni. E njëjta situatë ka qenë edhe në shkurt 2022. Në konkluzion dhe në analizë të të gjithë çfarë përmenda do regjistrojmë koalicionin “Bashkë Fitojmë” me 3 parti, PL, PBDNJ dhe PDK”, tha Celibashi.

Për më shumë se 40 minuta përfaqësuesi ligjor i Rithemelimit debatoi me atë të alibajt dikur të së njëjtës forcë politike

Indrit Sefa: Nëse lexoni vendimin e KAS-it thotë që “vendimi hyn në fuqi menjëherë”. Unë jam përfaqësues i përhershëm i PD-së pranë KQZ-së. PD nuk ka bërë asnjë marrëveshje për lidhjen e koalicionit zgjedhor dhe nuk ka depozituar asnjë marrëveshje të tillë. Subjektet që kanë firmosur në emër të PD-së, nuk janë përfaqësues të Partisë Demokratike.

Altin Kaziaj (përfaqësues i koalicionit “Bashkë Fitojmë”): Kodi Zgjedhor flet për marrëveshje të dy a më shumë partive. Me shumë respekt për ju zoti Komisioner, të vazhdojmë më tej me kërkesën tonë. Ju që thoni ‘përfaqësuesi i PD’ ende nuk e keni regjistruar PD-në në zgjedhje.

Franc Nuri (përfaqësuesi i Berishës): Zotit Sefa i mungon legjitimiteti për të ndërhyrë në këtë pikë të rendit të mbledhjes. Marrëveshja për koalicion ka qenë plotësisht në përputhje të Kodit Zgjedhor. KAS mori një vendim skandaloz, ne e kemi ankimuar vendimin dhe po punojmë për ankimimin në Kolegjin Zgjedhor.

Madje Indrit Sefa dhe Franc Nuri nuk i kursyen batutat ndaj njëri-tjetrit.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve regjistroi edhe koalicionin “Aleanca Liberale e Djathtë”. Edhe ky bashkim mbështetet në 3 mandatet e deputetëve të Partisë Demokratike.

Në Kuvend Edmond Spaho është deklaruar se i përket Partisë Bashkimi Demokrat, Tritan Shehu Bashkimit Liberal Demokrat dhe Luan Baçi Ballit Kombëtar Demokrat.

Duket se edhe në këtë koalicion Lista e Këshillave Bashkiakë do të ketë në pjesën dërrmuese propozimeve të Sali Berishës dhe emra të tjerë do të jenë në koalicionin “Bashkë fitojmë”.

Berisha me dy lista këshilltarësh, edhe në koalicionin

sali berisha zgjedhjet e 14 majit zgjedhjet vendore zgjedhjet kqz ilirjan celibashi celibashi franc nuri indrit sefa koalicionet

EMISIONET