Berisha marrëveshje për “14 majin” me Dulen, shpërthen në akuza për skandalin: Rama të dorëhiqet!
Opozita ka kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama duke e konsideruar të rëndë raportin e SHBA ku ish zyrtari i FBI ka marrë para nga politika shqiptare. Sali berisha thekson se fondet janë dhënë për të sulmuar opozitën, teksa pasi firmosi marrëveshjen për ti dhënë tre bashki PBDNJ, kërkoi hetim në të dy shtetet dhe nisen e komisionit të posaçëm parlamentar.
U firmos këtë të mërkurë marrëveshja e koalicionit mes Partisë Demokratike dhe PBDNJ-së në kuadër të zgjedhjebve vendore të 14 majit.
"Në orën 11.00 firmoset Marrëveshja e Koalicionit mes Partisë Demokratike dhe PBDNJ, tek Hotel Tirana, Salla "Consortium"", njofton zyra e shtypit e PD-së.
Pak ditë më parë Këshilli i Përgjithshëm i OMONOIA-s lajmëroi se kishte zgjedhur unanimisht kandidatët për kryetar bashkie të grupimit OMONIA-PBDNJ për zgjedhjet e ardhshme në bashkitë Dropull-Pogoni, Finiq dhe Himarë.
Konkretisht në bashkinë Dropull-Pogon kandidat do të jetë Thanas Maneka, në bashkinë e Finiqit kandidat do të jetë Leonidhe Kristo dhe në bashkinë e Himarës Fredi Beleri.
Pas nënshkrimit të marrëveshjes me PDBNJ-në Berisha theksoi se po i bashkojnë forcat me bindjen se me 14 maj do i japin një goditje fatale sistemit monist.
"Shpreh kënaqësinë time dhe të PD për këtë marrëveshje me një aleat të hershëm të PD, me të cilin ne vendosim të bëjmë një betejë të përbashkët kundër monizmit të plotë, të vendosur nga regjimi më i korruptuar në Europë dhe botë, regjimi i Edi Ramës.
Përmbysja e këtij monizmi është përparësi absolute e çdo qytetari të lirë, e çdo opozitari dhe në këtë kontekst, ne së bashku me PBDNJ, OMONIA-n, bashkojmë forcat me bindjen se me 14 maj do i japim një goditje fatale sistemit monist.
Nga ana tjetër, ne synojmë që t’ju kthejmë bashkitë qytetarëve shqiptarë. T’i kthejmë bashkitë në shtëpitë e përbashkëta të qytetarëve shqiptarë. Qytetarët e parë të këtyre bashkive të kenë vetëdijen e plotë, përgjegjësinë e plotë, gatishmërinë e plotë për të funksionuar si shërbëtorë të këtyre qytetarëve. Për të përdorur në mënyrën më transparente dhe të ndershme të gjitha burimet njerëzore dhe materiale, financiare, të bashkisë, për të shfrytëzuar të gjitha potencialet e mëdha që çdo bashki ka sot në Shqipëri, së pari në interesin më të mirë të qytetarëve të atyre bashkive.
Unë, duke falënderuar zotin Dule për mirëkuptimin dhe marrëveshjen që firmosëm, shpreh bindjen se kemi shënuar një hap shumë të rëndësishëm në realizimin e objektivave tona të përbashkëta", deklaroi Berisha.
Ndërsa lryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule, pas firmosjes së marrëveshjes me PD, u shpreh se ky bashkëpunim do ta çojë opozitën drejt fitores në 14 maj.
“Shpreh kënaqësi për nënshkrimin e marrëveshjes. Është një bashkëpunim i hershëm me PD dhe në shumë drejtime i suksesshëm. Do të veçoja bashkëpunimin 2005-2009, është nga katër vjeçarët më të suksesshme qeverisjeje në vend. Kjo marrëveshje nënshkruhet në kushtet ku demokracia në vendin tonë janë në intubim. Me të gjitha rrisqet që një gjendje e tillë klinike përfshinë për organizmin e shtetit.
Rruga është e gjatë dhe e vështirë por na garanton fitore. Synojmë që të sjellim kandidaturat më të denja për komunitetin. Primaret ishin një risi dhe një realitet i pakthyeshëm që do shënojë aktivitetin e çdo force politike. Së dyti ne do të sjellim programe konkrete, për çdo komunitet, programe të cilat do ofrojnë zgjidhje për problematikat lokale. Së treti, bashkëpunimi ynë dhe forcat e tjera opozitare, do të sjellim më 14 maj në çdo derë mesazhin se ata und të ndryshojnë fatin e tyre”, deklaroi Dule.