Ben Andoni “zbulon” prapaskenat: Presioni ndërkombëtar dhe SPAK-u “shkarkuan” ministrat! Berisha të thotë pse vazhdon të mbajë patericën e Ramës?!
Ndryshimet e bujshme të firmosura mbrëmjen e djeshme në qeveri, vetëm gjashtë muaj pas fillimit të mandatit të ri, nuk ishin një lëvizje strategjike e mirë-menduar, por një veprim i detyruar nga presioni në rritje i drejtësisë dhe faktorit ndërkombëtar.
Është ky vlerësimi i situatës politike i analistit dhe gazetarit Ben Andoni, i cili në një intervistë për “Ora News” u shpreh se kjo lëvizje e beftë nga kryeministri Edi Rama shihet si një përpjekje për të ripozicionuar ekzekutivin e tij përballë përplasjeve të mëdha me drejtësinë që po afrojnë në kupolën më të lartë të Partisë Socialiste.
Sipas tij, ndryshimet ishin të papritura, pasi pritej që çdo ministri t’i lihej të paktën një vit kohë për të treguar performancën e tij. Mënyra se si u kryen, duke i njoftuar ministrat vetëm pak minuta para zyrtarizimit, tregon për një mungesë të theksuar të moralit politik dhe qeverisës.
Ky stil, ku ministrat lihen "pezull" deri në momentin e fundit, vjen në një kohë kur ishte parashikuar që ndryshimet të bëheshin në një Asamble të Partisë Socialiste, por kryeministri zgjodhi një rrugë tjetër, më të menjëhershme.
Por pavarësisht rrokadës, Andoni theksoi se kjo qeveri e re nuk do ta ketë jetën të gjatë, pikërisht për shkak të këtyre presioneve.
Andoni u shpreh se ndryshimet e befta në kabinet nuk erdhën si rezultat i një analize performance, por si një përgjigje ndaj detyrimit të imponuar nga presioni i brendshëm dhe i jashtëm lidhur me drejtësinë.
Mungesa e një akti zyrtar paraprak, një fjalimi shpjegues apo një "mea culpa", i bën këto lëvizje edhe më problematike, duke ngritur pikëpyetje serioze për të ardhmen e këtij ekzekutivi.
PJESË NGA INTERVISTA
Andoni: Në fakt, analiza është proces, nuk mund ta them këtë të menjëhershme. Futem tek pjesa e shqiptarëve që nuk besoja që ndryshimet qeveritare do të ndodhnin brenda harkut të një viti, ku zoti Rama mori mandatin e tij qeverisës dhe ndërtoi qeverinë e tij.
Por kjo ndodhi në gjashtë muaj. Ndërkohë që zoti Rama është mësuar me, të themi, me pjesën që e lë pezull. Dhe të njëjtën gjë pamë dhe dje. Për herë të dytë, ministrat e tij morën vesh ose të paktën do e kenë marrë vesh emërimin e ri vetëm disa minuta ose disa kohë para caktimit të tij në këtë detyrë.
Në këtë sens mendoja që zotit Rama do i duhej që t'u linte një vit ë, kolegëve të tij, e para për të treguar programin qeverisës të secilit, të secilit dikaster ku shkonte.
Dhe pastaj në një farë mënyre, në këtë lloj bilanci, bilanc moral, bilanc teknik, ai të shpaloste ato ndryshimet që do bëheshin. Megjithatë, të kishte kohë që thuhej që do bëheshin këto ndryshime. Në fakt ishte përcaktuar që këto ndryshime do bëheshin në një asamble të re të Partisë Socialiste, por zoti Rama zgjodhi një element tjetër. Duke pasur parasysh tashmë përplasjet shumë të mëdha të drejtësisë, që po ofrohen jashtëzakonisht në pjesën e kupolës më të lartë të Partisë Socialiste, në pjesën e ekzekutivit.
Ai zgjodhi që me një lëvizje të ravijëzonte të paktën atë lëvizjen e tij të re me ekzekutivin, po edhe me qëndrimin që do mbajë për të ardhmen në ekzekutiv. Unë besoj që edhe kjo qeveri nuk do e ketë jetën e gjatë, për arsyen e vetme që tashmë mbi zotin Rama, pjesa që lidhet me drejtësinë është një pjesë jo më e padukshme, është krejt e dukshme, presioni ndërkombëtar duket që është jo i pakët.
Dhe këtë e shikoj nga ecejaket gjithmonë e më të shpeshta të emisarëve kryesorë të diplomatik në Tiranë në drejtim të SPAK-ut. Dhe ndërkohë, ecejaket e tyre të munguara për sa i përket të themi gjërave që kanë lidhje me qeverinë.
Dhe nga ana tjetër, është ajo e cila e trondit gjithmonë një, një qeverisje dhe kjo ka lidhje me bilancin e saj të performancës. Dhe për hir të vërtetës, performanca të themi e qeverisjes së zotit Rama në vitin e parë të mandatit të tij të katërt, lë shumë për të dëshiruar.
Sa i përket infrastrukturës, po shikohen gabimet, dëmet, por edhe ajo pjesë që ka bërë korrupsionin në vendin tonë. Dhe nuk është vetëm aksi i rrugës i cili shkon në drejtim të, të Korçës.
Po ta keni parasysh, ka dhe akse të tjera në juglindje, por raportohet domethënë për probleme në infrastrukturore edhe në hapësira të tjera të vendit tonë.
Dhe kjo të bën të mendosh që një nga dikasteret kryesore, ai që ka lidhje me infrastrukturën, ka menaxhuar një sasi të jashtëzakonshme fondesh në mënyrë jo adekuate, në mënyrë jo të mirë, sepse nuk dua të përdor fjalët të cilat janë bërë tashmë janë bërë bajate për hajninë e të tjera.
Dhe t'ju sjell një shembull të paktën për Kosovën. Kosova ka bërë një nga autostradat më të vështira, të themi infrastrukturore, po që edhe ka respektuar mjedisin, është ajo që, është ajo e Kaçanikut.
Dhe po ta shikoni, jo vetëm ka respektuar mjedisin në kufijtë e saj, sepse në qoftë se do bësh punime infrastrukturore, patjetër do e prekësh mjedisin, por po ta shikosh me kujdes, autostradën e Kaçanikut, është gati një vepër e përkryer infrastrukturore, që tregon që me sasitë e parave të njëjta që hidhen dhe në Kosovë dhe në Shqipëri, atje rrugët janë krejt më ndryshe nga vendi jonë.
Ky është krahasimi më i vogël që mund të bëj, sepse Kosova me Shqipërinë ka shumë gjëra të përbashkëta, jo vetëm se jemi një komb, po edhe mënyra e qeverisjes nuk është se ndryshon shumë. Ndërkohë që po të mendosh për shembull paratë që janë hedhur për infrastrukturën tonë, në mos gaboj është një sasi prej 3.3 miliardë euro ose diçka e tillë, impakti që ato kanë me punimet e bërë, lë jashtëzakonisht shumë për të dëshiruar dhe është vazhdimisht shumë-shumë shqetësuese.
Ju përmendët pak më lart presionin ndërkombëtar. Ishte i detyruar kryeministri Edi Rama për këto ndryshime?
Andoni: Besoj që po. Dhe kjo është parë më së miri nga këto ndryshime. E dini çfarë? Gjithmonë kur duhen bërë ndryshime qeverisëse, zakonisht paraprihet me të themi, me një fjalim, paraprihet me një lloj “mea culpa”, paraprihet me një akt zyrtar. Po të bësh ndryshime kaq të befta, unë mendoj që e para i mungon morali politik; e dyta i mungon morali qeverisës; dhe e treta, çfarë është më shqetësuese, është që njerëzit të cilët i kanë mbetur zotit Rama, lënë jashtëzakonisht shumë për të dëshiruar.
NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË ME ANALISTIN BEN ANDONI



