BE me Shqipërinë, pa Serbinë? Rama për “Porta a Porta”: Për mendimin tim jo, s'mund të mendohet
Shqipëria si trembet Serbisë në BE edhe pse është e afërt me Rusinë. Kryeministri Rama në një interviste për mediat italiane tha se Bashkimi Europian me Shqipërinë dhe vendet e tjera të Ballkanit por pa Serbinë anëtare nuk mund të mendohet.
Kryeministri Edi Rama thotë se Shqipëria nuk i trembet një zgjerimi të mundshëm të Bashkimit Europian me Serbinë, në një kohë që Beogradi zyrtar kritikohet si shumë i afërt me Rusinë.
Rama: Jo, jo vetëm që nuk i trembemi kësaj, por jemi një zë mjaftueshëm i dalluar në Ballkanin Perëndimor që thotë se duhet ta mbajmë Serbinë shumë pranë dhe duhet të bëjmë gjithçka që të jemi të bashkuar politikisht. Nga ana tjetër, sigurisht që ka dallime sepse Serbia nuk e ka sanksionuar Rusinë për arsye të qarta që në një moment duhet kuptuar se ato janë arsye të natyrës politike dhe historike, por edhe të natyrës pragmatike.
Por në anën tjetër, kreu i qeverisë shqiptare thotë se nuk mund të mendohet as një Bashkim Europian që përfshin Shqipërinë dhe vendet e tjera të Ballkanit pa Serbinë.
Rama: Jo, për mendimin tim jo.
Në një intervistë për emisionin “Porta a Porta” me gazetaren Vittoriana Abate, Rama foli dhe për ndikimin e luftës në Ukrainë në Ballkan dhe në veçanti në Shqipëri.
Rama: Ne duhet të bëjmë gjithçka për të shmangur që pasioni luftarak, le të themi, të mos na përfshijë edhe ne në krijimin e mosmarrëveshjeve mes vendeve anëtare të NATO-s dhe pro NATO-s në Ballkan dhe mes Serbisë dhe komuniteteve që i përkasin një bote sllavo-ortodokse, që është e lidhur ngushtë me Rusinë.
I pyetur për skenarët, kreu i qeverisë shqiptare, theksoi se konflikti Rusi-Ukrainë mund të mbajë peng botën për një kohë të gjatë.
Rama: Mundësia më e madhe është që ky është një nga konfliktet e ashtuquajtura të ngrira, por me një dimension mjaft mbresëlënës që mund të marrë peng jo vetëm Rusinë dhe Ukrainën, por të gjithë botën për një periudhë të gjatë kohore. Dhe, nëse rusët kanë qenë gjithmonë luftëtarë mjaft të ashpër, ukrainasit janë të njëjtë. Kështu të thuash që këtu mund të vendoset pa ata, më duket mjaft e vështirë.