"Bashkia e Tiranës po mbahet peng nga një sistem pa llogaridhënie"/ Tabaku: Mungesa e Ristanit në Komision ësjhtë fyerje

Bashkia e Tiranës nuk ishte e pranishme në dëgjesën e Komisionit të Posaçëm për Reformën Territoriale, ku po diskutohej për funksionimin e pushtetit vendor.
Në mbledhje u vu re mungesa e përfaqësueses së Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani, ndërsa kryetari i Bashkisë së Kavajës u largua gjatë seancës. Këto mungesa u komentuan nga deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, e cila e cilësoi situatën si mungesë përgjegjësie dhe respekti ndaj institucionit.
Tabaku tha se është e papranueshme që drejtimi i Bashkisë së Tiranës të mos paraqitet për të raportuar përpara Kuvendit, duke theksuar se bëhet fjalë për bashkinë më të madhe në vend.
Ajo ngriti shqetësime edhe për mënyrën si është zhvilluar Tirana vitet e fundit, duke përmendur përqendrimin e investimeve në qendër dhe mungesën e shërbimeve në disa zona periferike si Kashari, Petrela dhe Paskuqani.
Sipas saj, reforma territoriale ka nevojë të rishikohet, pasi nuk ka sjellë përmirësime të dukshme në cilësinë e shërbimeve për qytetarët.
Tabaku përmendi gjithashtu rritjen e numrit të punonjësve të bashkisë nga rreth 5 mijë në 9 mijë krahasuar me vitin 2015, duke ngritur pyetjen nëse kjo rritje është reflektuar në shërbime më të mira për qytetarët.
Në fund, ajo kërkoi që Bashkia e Tiranës të paraqitet në komision dhe të japë shpjegime për çështjet që lidhen me financat, investimet dhe menaxhimin e qytetit.


