Bardhi mbështet protestuesit nga Kuvendi: Protestojnë kundër korrupsionit dhe arrogancës qeveritare

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka lëshuar akuza mjaft të rënda nga foltorja e Kuvendit në drejtim të kryeministrit Edi Rama lidhur me projektin e shumëdebatuar të Zvërnecit.
Bardhi deklaroi hapur se pas investitorëve miliarderë fshihet një strukturë e regjistruar në parajsa fiskale në Holandë, që mbron përfituesit e vërtetë, ndërsa theksoi se kauza e Zvërnecit ka bërë bashkë qytetarët jo vetëm për mjedisin, por kundër arrogancës dhe korrupsionit të pushtetit.
Në fjalën e tij të plotë plenare, kryedemokrati Bardhi i kërkoi llogari kreut të qeverisë për shkarkimet në Kadastrën e Vlorës, duke përmendur emra konkretë të bashkëpunëtorëve të ngushtë të Ramës dhe oligarkëve që dyshohet se kanë zaptuar prona në atë zonë.
Bardhi u shpreh se opozita nuk është kundër zhvillimit, por kundër zhvatjes së pronës publike dhe private përmes parave të pista, duke akuzuar kryeministrin se po mban sekret emrat e përfituesve fundorë.
“ Fjala e plotë e Gazment Bardhit në seancë plenare:
Disa ditë më parë i kam kërkuar Kryeministrit të tregojë emrat e pronarëve të vërtetë të projektit të Zvërnecit.
E kam parë herë si të fortë, herë si të brishtë, por deri tani ka thënë shumë gjëra, përveç njërës që ka më shumë rëndësi se të gjitha të tjerat.
Nuk ka bërë të njohur listën e pronarëve përfitues fundorë.
Bën sikur nuk kupton dhe tregon vetëm një pjesë të së vërtetës.
Përmend investitorët miliarderë, por dokumentet e shtetit shqiptar tregojnë se ata nuk janë të vetmit.
Ne ende nuk e dimë kujt Edi Rama po i jep të drejtën të zhvillojë një nga zonat më të bukura të Shqipërisë.
Nuk e dimë, sepse Edi Rama ka pranuar një marrëveshje që i fsheh pronarët e vërtetë pas një strukture të regjistruar në një parajsë fiskale në Hollandë.
Nuk kam qenë kurrë kundër zhvillimit.
Përkundrazi.
Jam pro zhvillimit që ruan identitetin e çdo zone që zhvillohet.
Jam pro zhvillimit që nuk zhvat pronën e të tjerëve apo pronën e shtetit për çfarëdo qëllimi. Edhe sikur mbi atë pronë të ndërtohet parajsa.
Jam pro zhvillimit që nuk fsheh përfituesit e tij.
Dhe jam pro zhvillimit që nuk vjen nga para të pista, siç është bërë kaq e zakonshme në Shqipërinë e Edi Ramës.
Unë e kuptoj që çështja e Zvërnecit ka shumë sensibilitete.
Tërheq vëmendje të madhe edhe ndërkombëtare.
Por ajo që nuk kuptoj dot është pse Kryeministri i vendit, në një çështje kaq të nxehtë dhe kaq të ndjeshme, fsheh se kush janë pronarët përfitues fundorë.
Pse i mban sekret?
Nëse nuk ka asgjë për të fshehur, të mos lodhet duke gjetur armiq të brendshëm e të jashtëm mes protestuesve.
Le të dalë e të thotë si mund të zhvillohet një zonë me pronësi të dyshimtë.
Le të dalë e të thotë nëse i ka shkarkuar drejtorët e Kadastrës në Vlorë për çështjen që qelbet erë të pronave në Zvërnec.
A kanë marrë prona aty Ergys Agasi dhe Engjëll Agaçi?
Dhe jo vetëm këta.
Le të na shpjegojë edhe çfarë roli kanë në atë projekt dy prej oligarkëve kryesorë të vendit, që nuk kanë lënë port, aeroport apo bregdet pa zaptuar me firmën e Edi Ramës.
Jam përpjekur modestisht të lexoj protestën e këtyre ditëve. Ajo që kam mundur të kuptoj është se pelikani kaçurrel, flamingot, zogjtë shtegtarë, flora dhe fauna e pasur e Zvërnecit nuk janë arsyeja kryesore pse një pjesë e mirë e protestuesve janë sot kundër projektit.
Ata janë kundër arrogancës së pushtetit.
Janë kundër dhunës shtetërore dhe uzurpimit të gjithçkaje vetëm sepse kështu ka urdhëruar Edi Rama.
Janë kundër korrupsionit qeveritar.
Janë kundër kësaj qeverie.
Janë kundër diktaturës së parave të pista, siç e tha shumë bukur një protestues mbrëmë.
Kryeministri thotë se protestat janë të nxitura nga qarqe të huaja që na kanë zili, sepse nuk duan që Shqipëria të zhvillohet. Një konspiracion kaq malinj, sa përfshin edhe vendet fqinje. Aq malinj, sa prek edhe besimin fetar të atyre që kundërshtojnë projektin.
Malinj, sepse kështu përpiqet të manipulojë pjesën tjetër të shqiptarëve dhe t'u prekë ndjenjat patriotike.
Por edhe në qoftë kështu, pse nuk bën transparencë për njerëzit?
Pse nuk u tregon shqiptarëve emrat e pronarëve?
Pse nuk vendos në punë shefen tënde të shërbimit sekret?
Apo i ke lënë ende detyrë kryesore t'i shërbejë Ergys Agasit dhe ta mbrojë nga arrestimi?
Kryeministri ka mbushur botën me deklaratat e pavërteta se Shqipëria është nën sulm.
Jo!
Shqipëria nuk është në sulm nga askush, siç thotë Kryeministri.
Shqipëria është vetëm në sulmin e arrogancës dhe korrupsionit të Edi Ramës.
Nuk mund të sulmojë barbarisht një protestues një roje private pa asnjë autorizim dhe ta tërheqë zvarrë në mes të ditës, nëse kjo nuk do të ishte fryma armiqësore që Edi Rama ka mbjellë prej vitesh kundër kujtdo që kundërshton pushtetin e tij.
Nuk mund të qëndrojë një polic dhe të bëjë sehir një skenë të tillë, nëse nuk është mësuar ta shohë dhunën si mjet normal të pushtetit kundër kundërshtarëve.
Shqipëria nuk është në sulm nga armiqtë e jashtëm që shpik Edi Rama sa herë ka nevojë të luajë rolin e patriotit të rrethuar nga komplotet.
Shqipëria ka vetëm një armik: Kryeministrin e vet.
Prej 13 vitesh Shqipëria është nën sulmin e keqqeverisjes, korrupsionit dhe abuzimit me pushtetin.
Nën sulmin e një njeriu që ka shkatërruar funksionimin e një shteti normal dhe e ka zëvendësuar me partinë-shtet në shërbim të interesave të veta personale.
Ju e keni dëgjuar prej vitesh Kryeministrin të na flasë për vizionin e tij për turizmin elitar.
Deri tani nuk kemi parë asgjë, përveç disa fshatrave turistikë të shëmtuar që kanë betonizuar rivierën shqiptare.
Kur dëgjova Edi Ramën këto ditë të fliste për miliarda euro investime në Zvërnec, m'u kujtua se të njëjtën gjuhë përdori edhe për të mbrojtur investimin e Alabarit në Portin e Durrësit.
4 miliardë euro thotë tani për Zvërnecin.
2 miliardë euro thoshte për marinën e Durrësit.
Pra, sipas llogarive të Edi Ramës, kemi 6 miliardë euro investime.
Dhe nuk mund të mos më kujtohej ajo barcaleta e famshme që përdoret sa herë duhet shpjeguar ndryshimi mes teorisë dhe praktikës.
Është për të ardhur keq, por realiteti absurd që Edi Rama ka krijuar për 13 vjet shpjegohet më lehtë me barcaleta sesa me seriozitet.
Kështu ndodh edhe me Edi Ramën.
Në teori kemi vizionin e tij madhështor.
Në teori kemi 6 miliardë euro investime për turizmin.
Por në praktikë kemi në Durrës një projekt të shkërmoqur, të zhytur në rërë.
Pse hesht Edi Rama për këtë skandal?
Ku i çoi standardet e Dubait ky zotëri që mashtron sa herë hap gojën?
Janë zhytur dy ndërtesat e para të “projektit të jetës së tij”, sepse kështu e quajti vetë.
Vizioni i Durrësit si Dubai.
Dubai në mes të Europës.
Njëra ndërtesë është zhytur me 28 centimetra. Tjetra me 18 centimetra.
Dhe ky vizionar i madhërishëm nuk thotë asnjë fjalë.
Si mund t'i besoj Edi Ramës kur flet për vizion?
Për çfarë vizioni?
Për atë të betonizimit të Tiranës? Dhe jo tani vetëm me kullat.
Që kur ishte kryetar bashkie ky ka bërë vetëm një punë. Ka hehdur beton kudo, në mënyrë të rrëmujshme, pa plan.
Tirana sot është një katrahurë urbane.
Pa parkingje.
Pa hapësira të mjaftueshme të gjelbra.
Pa infrastrukturë të denjë.
Pa rrugë që përballojnë trafikun.
Me mungesa të vazhdueshme të ujit.
Tirana ka sot vetëm fasadën dhe propagandë.
Sepse kështu e ndërtoi Edi Rama Tiranën.
Me vizionin e tij të betonit në çdo lagje të Tiranës.
Edi Rama nuk ka vizion.
Mund të ketë disa shije estetike të diskutueshme. Mund të dojë të jetojë në luks dhe i rrethuar nga luksi, por ky nuk është as vizion dhe as zhvillim.
Unë bëj pjesë te ata që nuk do t'ia besoja Edi Ramës as kopshtin tim. Sepse po ta merrja kopshtar, do të gjeja llaç e tulla në vend të luleve.
Dhe nuk i besoj jo për arsye personale. Nuk i besoj sepse Edi Rama e ka provuar se pushtetin nuk e ka përdorur kurrë për interesin publik. Prandaj, zoti Kryeministër, nga shumë gjëra qëke thënë këto ditë, ke mbështetjen time të plotë vetëm për njërën prej tyre, largimin nga drejtimi i qeverisë. Do të bësh shumë mirë të ikësh në katundin tënd. Në Surrel bën shumë pak dëme,” përfundoi Bardhi.


