Baçi: Vizita e Blinken në Tiranë, vlerësim për vendin dhe mesazh për Ramën që të heqë duart e tij nga drejtësia e re
Për deputetin demokrat Luan Baçi vizita e Sekretarit të Shtetit në Tiranë, Antony Blinken është një vlerësim i madh që i bëhet vendit tonë.
Në intervistën e tij për “Ora News”, Baçi theksoi gjithashtu se vizita e Blinken është dhe një mesazh i qartë për kryeministrin Edi Rama që të heqë duart e tij nga kapja e drejtësisë së re dhe veçanërisht SPAK-ut.
“Vizita e z. Blinken në Tiranë një vlerësim për vendin nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ata kanë dëshmuar gjithmonë se janë partneri më i fortë dhe më i besueshëm. Falë atyre ne jemi këtu ku jemi, sidomos në arenën ndërkombëtare.
Pjesë e NATO-s jemi bërë falë mbështetjes së fortë të SHBA-së dhe marrëdhënies së shkëlqyer që kishte kryeministri i asaj kohe, z. Berisha me presidentin Bush dhe Klinton. Parë në këtë këndvështrim është vlerësim dhe mendoj se takimet do jenë një mesazh i qartë që i jepet kryeministrit Rama për të mos përdorur drejtësinë e re për interesat e tij.
Për të mos e bllokuar sidomos SPAK-un, pasi ndikon fuqishëm për ta vënë nën urdhrat e tij, të mos i pengojë ata prokurorë në punën e tyre në hetimet që po bëhen për ministrat dhe ish-ministrat e tij për të vajtur para drejtësisë. Kjo është arsyeja e vizitës”, theksoi Luan Baçi.
Po ashtu, Baçi deklaroi se tashmë procesi i bashkimit të demokratëve ka përfunduar dhe sipas tij opozita është më e fortë se kurrë.
Por nga ana tjetër në intervistën e tij dhënë në studion e lajmeve në “Ora News”, Baçi nënkupton se nuk ka asnjë bashkim deri tani me fraksionin e Lulzim Bashës.
“Rrugët janë të hapura për çdo afrim, pasi kam respekt për çdo koleg që ka dalë nga ajo listë në vitin 2021. Por, deklaratat e z. Basha vijojnë të jenë mashtrime dhe se oferta e tij është qesharake, pasi ai është pjesë e lojës së Ramës.
Edhe veprimet e tij janë të qarta pavarësisht deklaratëve, ai vepron në drejtim të kundërt.
Ndërsa thotë se mbështet çdo protestë të qytetarëve, ai futet në Kuvend më herët se të gjithë dhe shkon bashkë me mazhorancën dhe voton ato që kërkon mazhoranca. Dhe në këtë kuptim ai është i pabesueshëm në këtë kuptim.
Protesta e 20 shkurtit është një nismë që vjen në kohë të vështira për vendin, i cili përballet me një krizë të paprecedentë ekonomike që ka çuar në shpopullimin e vendit.
Po ashtu, kemi mashtrimin e qeverisë me studentët e universiteteve. Po ashtu është një protestë për fermerët që janë më të persekutuarit në këtë periudhë.
Të vijnë të gjithë në Tiranë, me gjithë mjetet që ato kanë dhe të bllokojnë çdo rrugë të vendit çdo ditë deri në realizimin e kërkesave të tyre dhe reflektimin e kësaj qeverie që tallet me ta
Natyrisht protesta ndryshon shumë gjëra. Numri i madh i qytetarëve në shesh, kërkesat dhe vendosmëria e tyre për të ndryshuar dhe për t’i treguar kësaj qeverie që janë në minorancë tashmë, dhe jo në mazhorancë”, theksoi ndër të tjera ligjvënësi demokrat, Luan Baçi.
INTERVISTA E PLOTE