Amnisti pas votimeve, Qeveria do të "hapë burgjet" pas zgjedhjeve vendore të 14 majit

Dy ditë para nisjes së fushatës elektorale premtimin e parë të mazhorancës e morën të dënuarit.

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, paralajmëroi amnisti pas zgjedhjeve vendore të 14 majit.

"Për të shmangur çdo konfuzion apo alibi në lidhje me zgjedhjet e 14 majit, Ministria e Drejtësisë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve e pa të arsyeshme që të mos kemi një ligj të amnistisë para zgjedhjeve të 14 majit. Pas zgjedhjeve të 14 majit kam orientuar Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve që të përgatisë një draft të ligjit për amnistinë."

Institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale janë në limitet e kapaciteteve të tyre. Kjo është një ndër arsyet që këtë vit parashikohet amnisti.

"Nuk kemi mbipopullim por jemi në limitet e kapaciteteve që kemi. Kështu që një nga arsyet por jo e vetmja që ne do të kemi një amnisti për këtë vit është dhe ulja e mbipopullimit apo mbajtja e kapaciteteve normale në institucionet tona të ekzekutimit të vendimeve penale."

Manja tha se janë marrë të gjitha masat që të paraburgosurit dhe të dënuarit të shprehin vullnetin e tyre me votë për zgjedhjet lokale.

"Nuk do të ketë leje shpërblyese për asnjë të dënuar me përjashtim të rasteve të fatkeqësive që janë të parashikuara strikt në rregulloren e përgjithshme të burgjeve."

Pavarësisht origjinës së tyre, Manja sqaroi se të burgosurit do të votojnë për kandidatët e bashkisë në të cilën ndodhet institucioni i dënimit.

ulsi manja amnisti

EMISIONET