Alibeaj i kërkon falje Mallakastrës për vendimin e Bashës në 2019: Lëvizje e gabuar
Enkelejd Alibeaj zhvilloi një takim në Mallakastër ku prezantoi dhe kandidatin për bashkinë Agron Kapllanaj. Sipas Alibeajt, Kapllanaj është një shembull i qeverisjes së përgjegjshmë, ndërsa kërkoi ndjesë për braktisjen e zgjedhjeve lokale të 2019-ës.
Enkelejd Alibeaj në cilësinë kryetarit të komanduar të Partisë Demokratike u kërkoi ndjesë demokratëve për vendimet e paraardhësit Lulzim Basha në vitin 2019, për të cilat tha se rezultan të gabuara.
“Së pari dua t’u kërkoj të gjithëve juve një ndjesë që katër vite më parë, në 2019-ën, morëm një vendim i cili rezultoi të ishte i gabuar. I braktisëm në fakt zgjedhjet lokale të 2019-ës, e në fakt rezultoi që ishte një lëvizje e gabuar.”
Teksa prezantoi Agron Kapllanajn si kandidat për Mallakastrën, tha se është koha që bashkitë tu kthehen qytetarëve.
"E kemi shembullin të gjithë sesi mund dhe duhet të qeveriset nga ana e njerëzve të përgjegjshëm, nga ana e njerëzve të cilët e djersisin votën e tyre, nga ana e njerëzve që kanë si qëllim kryesor jo aq shumë ngjyrimet politike sesa interesin e qytetarëve të Mallakastrës."
Për këtë qëllim, Alibeaj kërkoi të lihen mënjanë ndasitë dhe demokratët të jenë të bashkuar.
"Sot e keqja më e madhe është pikërisht Edi Rama dhe regjimi i tij. Për këtë arsye do të duhet që të gjithë së bashku të bëhemi bashkë dhe ti lëmë për një moment të gjithë ato grindjet dhe divergjencat e vogla".
Alibeaj u bëri thirrje qytetarëve të votojnë Partinë Demokratike më 14 maj.