“Sfida e PD, e ngjashme me vitet ‘90” Alibeaj: Partia Demokratike do të marrë një frymë të re

Enkelejd Alibeaj zhvilloi një takim në Fushë-Krujë ku kërkoi mbështetjen e qytetarëve për këshillin bashkiak. Ai e cilësoi situatën e tanishme të Partisë Demokratike si ajo e viteve 90’ kur luftohej për liritë elementare ndërsa për gjendjen në vend fajësoi kryeministrin Edi Rama.

Kryetari i komanduar i Partisë Demokratike Enkelejd Alibeaj vijoi në fushë Krujë, turin e takimeve në kuadër të zgjedhjeve të 14 majit.

Ai kërkoi mbështetjen e qytetarëve për kandidatët për këshillin bashkiak, pasi PD sipas tij po përballet me një sfidë të ngjashme me atë të viteve 90’.

“Ndodhemi realisht në një sfidë tamam si në 1990-ën. Ai mision i 1990-ës i pambyllur në atë kohë, i pa çuar deri në fund që na bëri të gjithëve ne që kemi besuar me shpirt e me zemër tek liria, tek demokracia, tek respekti për individin, tek respekti për pronarët, tek respekti për të përndjekurit, tek rinia dhe tek biznesi.”

Për situatën e rënduar në vend, sipas Alibeajt ka vetëm një fajtor.

“Regjimi i Edi Ramës atje dhe regjimi i Edi Ramërve të vegjël në bashki, të cilët kanë modelin e tyre, të cilët e transmetojnë në secilën bashki. Shpopullimi, gjendja e keqe ekonomike, humbja e shpresës, çmimet e larta, papunësia, mungesa e rendit dhe sigurisë. E pra, këto janë plagët më të mëdha, të cilat janë tipike.”

Fushë-Kruja është një nga bashkitë ku kryetari i komanduar i Partisë Demokratike vendosi të mos nxjerrë kandidatë për kryebashkiak port ë përfaqësohet vetëm me emra për këshillin bashkiak në zgjedhjet vendore të 14 majit.

EMISIONET