“Administrata të qëndrojë larg zgjedhjeve”, Shoqëria Civile: Punonjësit do të përballen me ligjin dhe jo pushtetarët
Përfshirja e administratës në fushatën zgjedhore gjatë orarit të punës është parë si shqetësim nga shoqëria civile.
Për të parandaluar këtë, Qëndresa Qytetare në takim me anëtarët e KQZ paralajmëroi punonjësit se në fund janë ata që do të përballen me ligjin dhe jo pushtetarët që ushtrojnë presion.
“Pavarësisht presionit që ju mund të merrni nga drejtuesit politik, ministrat apo partitë tuaja, sigurisht që ata nuk ju ndjekin dot deri në paligjshmërinë tuaj dhe në fund do të duhet që ju të jepni llogari përpara ligjit”, u shprehen ata.
Nga ana e saj zëvendës ambasadorja e Britanisë së Madhe theksoi rëndësinë e monitorimit të zgjedhjeve për të garantuar që vota e zgjedhësve të lexohet ashtu si është hedhur në kuti.
“Menaxhimi i zgjedhjeve është një proces i vështirë, prandaj duhet prania e disa institucioneve për kontrollimin e tij. Mediat po ashtu, dhe Shoqëria Civile kanë një rol të rëndësishëm. Të gjithë së bashku bëni që vota të sjellë ndryshimin.
Faktikisht, gjëja më e rëndësishme për njerëzit kur votojnë është se votojnë fillimisht veten e tyre me atë iksin e vogël në fletë e më pas në kuti, ju keni mundësi të vendosni se çfarë drejtimi merr vendi dhe se nga çfarë politike do të drejtohet. Kështu, kjo është edhe mundësia juaj”, u shpreh diplomatja britanike.
Po ashtu dhe kryekomisioneri Ilirjan Celibashi, nënvizoi rëndësinë e shoqërisë civile në raportet e monitorimit.
“Së pari, kontribuesit kryesorë janë partutë politike”, tha Celibashi.
Zyrtarisht fushata zgjedhore në shqipëri do të nisë në datën 14 prill, ndërsa partitë tashmë kanë ndezur motorët, por po ashtu dhe denoncimet.