6 muaj në arrati, Ahmetaj “lakuriq”/ Ish-numrit 2 të qeverisë i digjet mandati më 6 janar, ja kush ulet në karrigen e Kuvendit
Ish-zëvendës kryeministri Arben Ahmetaj humbet mandatin e tij më 6 janar pas mungesës prej 6 muajsh në Parlament. Tashmë në kërkim lidhur me dosjen e incineratorit, sipas kushtetutës, një tjetër përfaqësues do të radhitet krahë socialistëve, e në listën e tyre renditet emri i drejtoreshës së Kadastrës, Dallëndyshe Bici dhe juristi Plarent Ndreca.
Grupi parlamentar i Partisë Socialiste do të nisë sesionin me një emër të ri në Kuvend, pasi 6 janari është shënon dhe afatin që Arben Ahmetaj mund të mbajë mandatin si deputet.
Tashmë në kërkim lidhur me dosjen e incineratorit, prezenca e ish-numrit dy të qeverisë në parlament ka qenë më datën 6 korrik.
Sipas kushtetutës, mandati i një ligjvënësi hiqet në momentin që ai mungon pa arsye për 6 muaj, e sipas rregullave, një tjetër përfaqësues do të radhitet krahë socialistëve, në mungesë të Ahmetajt.
E teksa Ahmetaj përfaqësonte qarkun e Tiranës, në listën e Partisë Socialiste pas tij renditet Dallëndyshe Bici.
Burime nga PS, bëjnë me dije se marrja e mandatit nga Bici është në pikëpyetje, pasi kësaj të fundit iu besua drejtimi i Kadastrës nga Kryeministri Edi Rama disa muaj më parë.
Në listë pas Dallëndyshe Bicit, emri tjetër i mazhoritarëve është Plarent Ndreca, i cili në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, arriti të marrë 4008 vota.
Sesioni i ri parlamentar për vitin 2024 pritet të nisë më 15 janar. Por tensionet e lëna në sesionin e fundit do të jenë përsëri të pranishme, pasi opozita ka nisur dhe të ashtuquajturën mosbindje civile.
Një aksion opozitar i cili nuk lejon asnjë mbajte normale të seancave plenare apo punime të komisioneve pa përmbushjen e kërkesave të tyre, të cilat sipas pretendimeve janë rrëzuar me urdhër të kryeministrit Rama dhe të kryeparlamentares Lindita Nikolla.


