"5 mijë euro takimi" Bejko: Ku i merr Berisha lekët për fushatë? Janë paratë që u ka vjedhur shqiptarëve
Kandidati i Partisë Demokratike për bashkinë e Tiranës, Roland Bejko zhvilloi sot një takim me demokratë të njësisë nr. 7 në kryeqytet.
Bejko u shpreh se “deri tani Berisha ka zhvilluar rreth 13 takime që do të thotë te 60 mijë euro“.
“Nga kush mbështet? Nga paratë e oligarkëve. Një takim që zhvillon sot Sali Berishai kushton 5 mijë euro. Ka zhvilluar deri tani 13 takime për prezantime, ka shpenzuar rreth 60 mijë euro. Ndërkohë që ka një vit e gjysmë që vjen vërdall. Me çfarë parash i zhvillon këto aktivitete, me çfarë i paguan mediat? Këto para janë para që i ka vjedhur te shqiptarët, para të vjedhura nga taksapaguesit shqiptarë. Ose paratë e krimit të organizuar ose të oligarkëve. Për të trija këto është akuzuar, për këto të trija është shpallur dhe non grata. Britanikët e akuzuan si bashkëpunëtore me krimin e organizuar, amerikanët si një person që minon demokracinë, shqiptarët e kanë refuzuar për lider dhe sot janë 70% e shqiptarëve që nuk e duan. Të vetmit që i shkojnë nga mbrapa janë militantet që i gënjeu se për 6 muaj do hedh Ramën nga pushteti. I fton demokratët dhe u thotë votoni listën e Ilir Metës, ata që ju hoqën ju nga puna dhe shkatërruan jetën e demokratëve”, tha Bejko.
Bejko tha se “në këtë fushatë, ne jemi e vetmja forcë e djathtë që konkurrojmë në Tiranë, sepse të gjithë kandidatët e tjerë janë të futur nën flamujt e partive të majta. Edhe Belindi është i Ilir Metës. Përfaqëson aty nongratën, por përfaqëson edhe Ilir Metën, i cili dihet se çfarë reputacioni publik ka në Shqipëri”.
Sipas tij, “qytetarëve sot bashkia e Tiranës shkon dhe u merr pronën, për të ndërtuar kulla dhe qytetarët nuk ndërtojnë dot një ëndërr, një projekt për një jetë të re”.
Sipas Bejkos, “demokratëve tani u kërkohet të bëjnë me parti Ilir Metën, sepse ai doli nga Presidenca dhe nuk kishte parti”.