16 mijë shqiptarë kërkuan azil në Britani, PL: Rama i ofron rinisë gomomen si shpresë për një jetë më të mirë

16 mijë shqiptarë kërkuan azil në Britani, PL: Rama i ofron

Të dhënat alarmante se rreth 16 mijë shqiptarë kërkuan azil në Britani ku 72 % e tyre ishin më pak se 29 vjeç, të publikuara nga Mbretëria e Bashkuar kanë shkaktuar reagimin e ashpër të Partisë së Lirisë.

Nënkryetarja e kësaj partie Floida Kërpaçi shprehet se këto shifra tregojnë që të mitur, gjimnazistë, studentë, profesionistë kanë refuzuar përmes largimit regjimin e keqqeverisjes në Shqipëri!

“Në vitin 2022 Shqipëria shënoi nivel rekord për numrin e aplikimeve për azil në Mbretërinë e Bashkuar! Të dhënat tregojnë se gati 58% e aplikimeve për azil në Mbretërinë e Bashkuar në 2022-n i përkiste grupmoshave 18-29 vjeç. Rreth 13.7% e aplikimeve janë bërë nga fëmijë më pak se 18 vjeç, shpesh edhe të pashoqëruar, teksa 42% e aplikimeve janë bërë nga vetë të miturit si aplikantë kryesorë ndërsa pjesa tjetër kanë qenë në varësi të dikujt tjetër.

-Në total, 72% e aplikantëve ishin të grupmoshës deri në 29 vjeç! Këto shifra tregojnë që të mitur, gjimnazistë, studentë, profesionistë kanë refuzuar përmes largimit regjimin e keqqeverisjes në Shqipëri! Ndryshimi do të vij me çdo çmim për të frenuar këtë shpopullim masiv të vendit! Ndryshimi është në duart e tua ndaj në 14 Maj bashkë do të fitojmë që ta bëjmë Tiranën dhe çdo qytet në Shqipëri me më shumë mundësi për brezin e ri dhe familjet tona!”, shprehet Floida Kërpaçi.

Lidhur me këtë situatë të azilkërkimit të shqiptarëve në Britani do të reagonte edhe vetë kryetari i PL-së, Ilir Meta.

“Numri i aplikimeve për azil në Britaninë e Madhe nga shtetasit shqiptarë shënoi nivel rekord për vitin 2022!

Të dhënat më të fundit të publikuara nga Zyra e Statistikave të Emigracionit në Mbretërinë e Bashkuar tregojnë se rreth 16 mijë shqiptarë kërkuan azil në Britani dhe se 72% e tyre ishin më pak se 29 vjeç.

Tronditës është fakti se rreth 42% e aplikimeve janë bërë nga vetë të miturit si aplikantë kryesorë, ndërsa 13.7 % e kërkesave janë bërë nga fëmijë më pak se 18 vjeç.

Të rinjtë shqiptarë ikin nga Shqipëria, si nga asnjë vend tjetër i rajonit, për shkak të qeverisjes së korruptuar 10 vjeçare të Edi Ramës, që i ka detyruar t'u hipin gomoneve të shpresës, duke rrezikuar edhe jetën e tyre.

Përgjegjësia e shpopullimit të Shqipërisë është e Ramës, ndaj largimi i tij është domosdoshmëri për shpëtimin e vendit! Më 14 Maj është dita për të ndëshkuar me votë përgjegjësin kryesor të shpopullimit!”, shprehet Ilir Meta në reagimin e tij.

EMISIONET