Policia me këngë:'Dhe një gotë po pate pirë, të ndaloj.Kam detyrë të jesh mirë'
Tiranë – “Edhe kur të ndaloj , se një gotë më shumë ke pirë, e bëj vetëm për ty, kam detyrë që të jesh mirë!”- Këto janë vargje të këngës së Policisë së Shtetit, më saktë, të videoklipit që Policia sapo “e ka hedhur” në treg.
Qëllimi i këngës së policisë titulluar "Së bashku" është që t’iu afrohet qytetarëve, që ta besojnë dhe të bashkëpunojnë me të.
Ajo këndohet nga Florian Kondi dhe Mariza Ikonomi dhe në video, interpretojnë figura të njohura si Alket Islami, Ela Tase, Marina Vjollca, Ema Andrea, Neritan Licaj, Fatos Baxhaku, Eno Milkani, Luana Vjollca dhe Jona Spahiu.
Për herë të parë, policia tenton të përfshihet butë me njerëzit duke përdorur si mjet këngën; ca më tepër, një videoklip që lëshon mesazheje paqeje duke kërkuar bashkëpunim.
Nuk dihet sesa do të jetë numri i klikimeve të këtij videoklipi dhe sa do të pëlqehet ai, por një gjë duket qartë: Videoja shumëplanëshe zbavit, ndërsa mesazhi i saj kapet fare lehtë.
Ja çfarë thotë teksti i "këngës së policit"
Së bashku
E di, më shmangesh ti,
Sa herë mua më shikon
Unë jam njësoj si ty,
Jam ai që ty të mbron!
Edhe kur të ndaloj
Se një gotë më shumë ke pirë
E bëj vetëm për ty,
Kam detyrë që të jesh mirë!
Njësoj si ty, njësoj si ty, me ty jam
Mendoj për ty, mendoj për ty, mendoj për ty
Dhe mos thoni më se s’ka polici
Se policia jemi unë dhe ti
Jemi unë dhe ti! Jemi unë dhe ti!
Edhe kur të ndëshkoj,
Rregullat kur nuk zbaton
E bëj vetëm për ty,
Sepse ti këtu jeton
Edhe kur diçka nuk shkon
Bën mirë të telefonosh
Që nesër të mos ndodhë
Ajo që nuk dëshiron
Njësoj si ty, njësoj si ty,
Me ty jam, mendoj për ty.
Dhe mos thoni më se s’ka polici
Sepse policia jemi unë dhe ti!
Unë dhe ti! Jemi unë dhe ti!
ar.sh/Oranews.tv
