Plumba fqinjit në sy të fëmijëve, 69-vjeçari në gjykatë: Kishim konflikte, por nuk doja ta plagosja
Gjergj Gjini, 69-vjeçari që plagosi në sy të fëmijëve e gruas fqinjin e tij në Balldre të Lezhës do të qëndrojë burg deri në fund të hetimit.Në seancën për rivlerësimin e masës së sigurisë, ai deklaroi se me Hilë Gjinin kishte konflikte, dhe se i zuri pritë vetëm për ta trembur.
Gjykata e Lezhës vendosi të mbajë në burg pa afat Gjergj Gjinin, 69 vjeçarin që sulmoi me armë fqinjin e tij Hilë Gjini në sy të fëmijëve dhe gruas.
Ngjarja u shënua mëngjesin e së martës në fshatin Balldre, ku 43-vjeçari mbeti i plagosur.
Në seancën me dyer të mbyllura, 69-vjeçari ka thënë se ata ishin në konflikte të vazhdueshme, ndaj ai e sulmoi për ta trembur, por jo për ta vrarë.
“Me Hilë Gjinin kemi patur konflikte të vazhdueshme, të cilat nuk i kishim zgjidhur. Ditën e martë i zura pritë për ta trembur. Nuk kisha qëllim që ta plagosja!”
Sipas dëshmisë në Polici pasi u vu në pranga, Gjergj Gjini e akuzonte fqinjin se vite më parë i kishte helmuar disa dele dhe prej asaj kohe ata ishin në konflikte të vazhdueshme.
Avokati i 69-vjeçarit, Petrit Mhilli, kërkoi nje mase më të butë ndaj klientit të tij me pretendimin se ka probleme shëndetësore me zemren.
Por kërkesa u refuzua dhe gjykata vendosi ta mbajë në qeli me masë sigurie burg pa afat, e cila pritet të ankimohet nga mbrojtja.
69-vjeçari, Gjergj Gjini, i zuri pritë dhe qëlloi me armë ndaj fqinjit të tij Hilë Gjini, teksa ky i fundit po dërgonte fëmijet në shkollë me automjetin e tij.
Sipas dëshmive, ishte ndërhyrja e fëmijëve dhe bashkëshortes së 43 vjecarit të cilët u përleshën dhe i hoqën nga dora pushkën 69-vjeçarit, çka shmangu një ngjarje të rëndë, duke iu referuar faktit se në makinë ishin fëmijë të mitur.
LEXO EDHE: Po dërgonte fëmijët në shkollë, lezhiani gjen belanë nga bashkëfshatari, qëllohet me automatik
