Pesticidet, Mali i Zi bllok kastravecit shqiptar. Ministria e Bujqësisë: S’ka vend për panik

Pesticidet, Mali i Zi bllok kastravecit shqiptar. Ministria e

Mali i Zi ka bllokuar importin e produkteve bujqësore shqiptare. Mediat malazeze bëjnë të ditur se 761 kg kastraveca që ishte importuar nga Shqipëria ka rezultuar se ka përmbajtje të lartë të një pesticidi të njohur me emrin "spiroxamine".

Për këtë arsye Ministria e Bujqësisë e shtetit malazez ka dërguar kërkesë urgjente në Drejtorinë përkatëse që të rrisë kontrollin inspektues në depon e importuesit dhe në objektet e shitjes me pakicë, në mënyrë që të vërtetohet që produkti i diskutueshëm nuk është në shitje, si dhe të rritet kontrolli inspektues e më tej të ndalohet hyrja e këtij produkti në Malin e Zi.

Sipas autoriteteve malazeze sasia e spiroxamines te kastraveci shqiptar është 0,094 miligram për kilogram që e kalon normen e përcaktuar nga legjislacioni i BE-së.

Ministria jonë e Bujqësisë përmes një njoftimi për mediat njofton se nuk ka vend për panik dhe se është ngritur një grup inspektimi nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit për të marrë mostra të këtij produkti dhe për të bërë analizat e nevojshme. Madje Ministria pretendon se rasti është në nivele të ulëta krahasuar me vendet e tjera.

"Grupi i inspektorëve do të verifikojë pranë të gjitha farmacive bujqësore praninë ose jo të fungicidit spiroksaminë dhe mënyrën e përdorimit të tij. Pasi të përfundojnë analizat nga institucionet shqiptare, rezultati do t'i bëhet i ditur publikut."- theksohet në njoftimin për mediat.

Jo vetëm kaq, por Ministria e Bujqësisë deklaron se gjithë produkti i kastravecave dhe perimeve të freskëta në tregun vendas do t'i nënshtrohet analizave të imtësishme për praninë e këtij pesticide.

EMISIONET