Vodhën mbi 6 mijë m2 tokë të manastirit të Ardenicës, pranga ish-kreut të ZRPP-së dhe biznesmenit
Ish-drejtori i Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Lushnjë, ka përfunduar në prangat e policisë, pasi akuzohet për falsifikim dokumentesh.
Shtetasi B. Koçiu, sipas Prokurorisë ka urdhëruar në vitin 2014 që të regjistrojë rreth 6300 m2 tokë në emër të një biznesmeni në zonën e Ardenicës, hapësirë e cila i përkiste një manastiri.
Ishin përfaqësuesit e këtij komuniteti fetar që bënë kallëzim penal në Prokurori nga ku edhe nisën hetimet për rastin.
Bashkë me ish-drejtorin është arrestuar edhe biznesmeni që ka përfituar pronën, A.Lushi, i cili ka ndërtuar në zonë një kompleks.
“Në bazë të hetimeve, Prokuroria e Lushnjës ka arritur të evidentojë se, në vitin 2014, prona e pretenduar nga Manastiri, është regjistruar në Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (ZVRPP) në emër të shtetasit A.Lushi, në bazë të dokumenteve të falsifikuar. Po ashtu, nga veprimet hetimore të Prokurorisë së Lushnjës, janë krijuar dyshimet e arsyeshme se kjo pronë është regjistruar në bazë të urdhrave verbalë të Kryetarit të ZVRPP në atë kohë, shtetasi B. Koçiu”, sqaron Prokuroria.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, nga hetimet e deri më tanishme rezulton se prona është regjistruar mbi bazë të dokumenteve të falsifikuara nga ana e ish-drejtuesit të ZVRPP, B. Koçiu, si edhe nga pronari i kompleksit privat të shërbimeve, A.Lushi.
Ndaj këtyre dy personave, u kërkua caktimi i masës së sigurisë “arrest në burg”, e cila u pranua nga gjykata. Në zbatim të vendimit të Gjykatës së Lushnjes, forcat e Policisë së Shtetit arrestuan dy personat e dyshuar.
