Qeveria dhe opozita përplasen për paketën fiskale për bujqësinë
Tirane- Paketa fiskale për bujqësinë është thjesht një show mediatik dhe nuk i vjen në ndihmë fermerit .
Ish/zëvendës ministri i Bujqësisë Ndoc Fasllia deklaron se kompensimi i TVSH-së për fermerët është absurd dhe nuk funksionon.
“Është një incentivë e cila nuk funksionon, pasi është e pakontrollueshme. Si mund të kontrollosh që në atë çmim që bën blerjen ka dhe tvsh” thotë ai.
Por zv.ministri Alban Zusi shpjegon se kjo nismë ka si synim nxitjen e tregtarëve për blerjen e prodhimeve vendase.
"Rrjetet e supermarketeve apo industritë preferonin më tepër të merrnin mallrat e importuara sesa të merrnin mallra shqiptare pasi u njihej TVSH dhe u shkarkohej , ose këto të fundit ishin të destinuara të shiteshin në mënyrë informale. Ne favorizojmë blerjen e produkteve shqiptare" u shpreh Zusi.
Një tjetër pikë ku qëndrimet janë komplet të ndryshme është edhe heqja e tarifës së importit për grurin dhe mishin .Ish numri dy i Bujqësisë argumenton se kjo dotë dekurajojë prodhimin vendas dhe do të nxisë mallrat e importit.
"Kjo dekurajon prodhimin vendas dhe e rrezikon ndjeshëm, pasi blerja e produkteve të jashtme është me çmime nën koston e prodhimit në Shqipëri. Pra kjo është të nxisësh importin dhe çon në krijimin e monopoleve"
Ndërsa në lidhje me këtë çështje zv.ministri Alban Zusi shprehet se heqja e tarifës së importit të grurit synon zhvillimin e industrisë së miellit në Shqipëri duke qenë se ne nuk plotësojmë nevojat me grur.
"Heqja e taksës për grurin, mbështet industrinë e përpunimit të miellit e cila prej dy vitesh është në vështirësi. Shkon në të njëjtën linjë paralele me të gjithë heqjen e taksave për lëndët e para. Ne nxisim biznesmenët nga tregtia tek prodhimi brenda vendit"
Pavarësisht argumentave krejt të kundërta tashmë mbetet për të parë aplikimin e këtij efekti për të vërtetuar impaktin dhe ndihmën që do ti japë fermerëve dhe sektorit të bujqësisë.
