Pilotimi i votimit elektronik, Braho: Për Korçën ka dakordësi mes palëve
Anëtari i KAS, Ledio Braho në një intervistë për Ora News ka bërë me dije se identifikimi biometrik do të jetë pjesë e çdo qendre votimi në të gjithë vendin më 25 prill.
Braho ka vijuar më tej duke thënë se ky nuk është një projekt pilot, teksa ka shtuar se Korça është zgjedhur si një prej qarqeve ku do të zhvillohet votimi elektronik për shkak të konsensusit mes palëve politike.
Braho: Komisioni Rregullator me unanimitet ka votuar specifikimet që do të duhen në lidhje me identifikimin biometrik për pajisjet dhe sistemin në tërësi. Kanë nisur edhe procedurat e prokurorimit, madje është përcaktuar edhe buxheti, fondi limit në lidhje me këtë procedurë që është diku te 20 milionë euro pa TVSH dhe në dijeninë tima situata është në pjesën që duhet të miratohet buxheti nga qeveria në drejtim të KQZ. Koha është mëse e mjaftueshme. Vetëm një subjekt ka që mund të lidhë marrëdhënien me KQZ për pajisjet. Unë besoj që identifikimi biometrik do të jetë pjesë në çdo qendër votimi në të gjithë Shqipërinë. Nuk bëhet fjalë për projekt pilot.
Do jetë i shtrirë në të gjithë Shqipërinë. Ka të bëjë me votimin elektronik, sepse pjesë e votimit është edhe ai. Partitë politike duhet të japin pëlqimin në lidhje me zonat ku do të pilotohet. KQZ duke qenë se për qarkun e Korçës ka një dakordësi ndërmjet palëve politike, do të jetë një nga qarqet që do të pilotohet votimi elektronik, por ndërkohë që do të shihet edhe mundësia për të aplikuar në një qark tjetër edhe pse për momentin nuk ka një konsensus nga partitë politike. Kjo është një vendimmarrje që i takon KQZ.
Intervista në studio për gazetaren Matilda Mcini, përgatiti për online Tea Islamaj.
