PDIU tubim në njësitë 9 dhe 10, Idrizi: Do ta kthejmë rezolutën në detyrim për qeverinë
Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet vijoi takimet elektorale në njësitë 9 dhe 10 në Tiranë ku u prezantua kryesuesi i listës së kandidatëve për deputetë në Qarkun e Tiranës, Tahir Muhedini. Në tubimin e organizuar në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar, kryetari i PDIU-së, z. Shpëtim Idrizi vlerësoi se prezenca e 7 deputetëve të PDIU-së në Kuvendin e Shqipërisë do t’i japi një hov të ri zgjidhjes së çështjes çame.
“Në këto katër vjet ne arritëm të nxirrnim nga sirtarët e pluhurosur rezolutën për zgjidhjen e çështjes çame. Pa dyshim që kjo ishte një arritje e rëndësishme, një arritje që së bashku me amendamentet në ligjin e censusit u krye kryefund nga PDIU. Por, në katër vitet e ardhshme beteja është më e fortë, sepse qeveria shqiptare do të duhet të zbatojë me përpikmëri këtë rezolutë. Tashmë, shteti shqiptar ka një dokument ligjor ku duhet të bazohet për t’i dhënë zgjidhje çështjes çame. Deputetët e PDIU-së do të jenë garancia që qeveria shqiptare të zbatojë detyrimet e saj, jo vetëm ndaj shqiptarëve të Çamërisë, por ndaj 7 milionë shqiptarëve në trojet e tyre që duan që çështja çame të marri rrugën përfundimtare të zgjidhjes”-tha kryetari i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi.
Ai shtoi se çështja çame sot është më e gjallë se kurrë më parë dhe ftoi të gjithë mbështetësit e kauzave të mëdha kombëtare që të votojnë nr. 50 më 23 qershor, duke fuqizuar zërin kombëtar në parlamentin
shqiptar.
“Ne ishim ata që trimëruam parlamentin shqiptar, duke treguar se të qenit të bashkuar, ashtu sikurse ne të gjithë e duam Shqipërinë të bashkuar, nuk duhet të jetë tabu. Dhe në fakt, ju e shihni vetë që ndaj këtij vokacioni të të gjithë shqiptarëve rreshtohen kundër vetëm disa segmente të politikës, të cilat intimidohen. Por, sot është momenti që ne të jemi të gjithë në një zë për të kërkuar të drejtat tona, të drejtat e shqiptarëve kudo që janë. Ndaj më 23 qershor ju ftoj të gjithëve të votoni nr. 50, numrin e alternativës kombëtare në parlamentin shqiptar” – deklaroi Idrizi.
Gjatë fjalës së tij, kryesuesi i listës së kandidatëve për deputetë në Qarkun e Tiranës, Tahir Muhedini kërkoi mbështetjen e të gjithë shqiptarëve për kauzën e shqiptarëve të Çamërisë.
“Një shprehje e vjetër thotë “Pa Kosovë e Çamëri nuk ka Shqipëri”. Sot Kosova është e
pavarur fal mundit të shqiptarëve të Kosovës por edhe të gjithë shqiptarëve kudo që janë. Ndaj, unë ju ftoj, që të gjithë të punojmë për zgjidhjen e çështjes tjetër madhore kombëtare, zgjidhjen e
çështjes çame” – u shpreh Muhedini.
