PDIU takim në Tiranë, Idrizi: Vendit ka nevojë për një politikë të re kombëtare

Partia Drejtësi Integrim dhe Unitet zhvilloi sot takimin e radhës me banorët e Qarkut të Tiranës në Institutin Bujqësor, ku prezantoi kandidatin për këtë qark, Tahir Muhedini.

Gjatë këtij takimi me qindra mbështetës të PDIU-së nga zonat periferike të kryeqytetit, kryetari i kësaj force, z. Shpëtim Idrizi vendosi theksin mbi nevojën e një politike të re kombëtare në vend.

Duke u ndaluar te programi i PDIU-së, Idrizi deklaroi se shteti shqiptar nuk duhet të harrojë në asnjë moment rolin e vetë social, e për këtë arsye PDIU ka një program të qartë dhe të plotë. Krijimi i një autoriteti të ri kombëtar me fuqi ekzekutive, të quajtur Autoriteti Kombëtar i Solidaritetit është një ndër objektivat e PDIU në mandatin e ardhshëm.

“Ne nuk mund të themi se jemi patriot të mirë nëse nuk u vijmë në ndihmë të gjithë bashkëqytetarëve tanë. Sepse patriotizmi, shqiptarizmi nënkupton solidaritetin. Të gjithë shqiptarët e kanë treguar karakterin e tyre solidar përgjatë gjithë rrjedhës së historisë dhe shqiptarët e Çamërisë, sikurse edhe shqiptarët e Kosovës këtë e dinë më së miri nga pritja e ngrohtë që iu është ofruar në Shqipëri pas dëbimit gjakatar nga trojet e tyre komëtare. Për këtë arsye ne duhet të ngremë një strukturë solide dhe efikase që t’i vijmë në ndihmë çdo shqiptari që e ka të nevojshme. PDIU në mandatin e ardhshëm do të këmbëngulë në nevojën e krijimit të Autoritetit Kombëtar të Solidaritetit, një institucion qëndror me fuqi ekzekutive. Në këtë institucion do të bashkohen fondet shtetërore, fondet e organizatave jofitimprurëse, fondet e bashkësive fetare dhe të gjithë së bashku do të koordinohen për të krijuar një organizëm vital në mbështetje të qytetarëve në nevojë. Kjo, jo në formën e lëmoshës, jo në formën e një shume monetare që nuk arrin të mbuloj asgjë, por në formën e ardhjes në ndihmë me nevojat bazike, nëpërmjet punës në komunitet, punës vullnetare, solidaritetit të çdo shqiptari. Ne si kombi i Nënë Terezës e kemi për detyrë të dyfishtë këtë” – tha Idrizi.

Duke u ndalur te roli i PDIU-së në politikën shqiptare, ai theksoi se PDIU është një parti me bilanc të qartë, forca e vetme politike që ka pasur nisma ligjore dhe ekzekutive dhe u zotua se në mandatin e ardhshëm katërvjeçar kur PDIU do të çojë në Kuvend 7 deputetë, roli kyç i PDIU-së do të rritet. Ndaj, ai ftoi të gjithë shqiptarët që të votojnë nr. 50, të votojnë për kauzat kombëtare, të votojnë për çështjen çame, të votojnë për bashkimin kombëtar.

Ndërsa kandidati për deputet i Qarkut të Tiranës, Tahir Muhedini, kërkoi që të gjithë të jenë të bashkuar rreth kauzave të mëdha të kombit tonë.

EMISIONET