PD zbulon hotelin me lejen e Lames: I dha truall në mes të Tiranës
Partia Demokratike akuzoi sot kreun e Aluiznit, Artan Lame, se në mënyrë korruptive i ka falur një truall një subjekti privat. Nga selia blu, kordinatorja për mediat Silvi Bardhi tha se Lame në vend se të luajë rolin e gaztorit para mediave, duhet të japë përgjigje për këtë shkelje flagrante të ligjit.
Deklarata e plote:
Gaztori Lame po bën shfaqje të gjata për të argëtuar shefin e tij, por nuk thotë asgjë për vendimin që ka marrë me 14 shkurt, ku për motive të pastra përfitimi, ka bërë një subjekt privat pronar të një trualli në mes të Tiranës.
Kreu i ALUIZNI-t, Artan Lame i ka dhënë Hotel Diplomatit 372 metra katrorë tokë, sikur në këtë sipërfaqe të kishte një ndërtim pa leje.
Ndërkohë që në këtë truall, që nuk është pronë e hotelit, nuk ka asnjë ndërtim pa leje.
Me këtë leje legalizimi nr 115100, Artan Lame i ka kaluar në pronësi Hotel Diplomatit 372 metra katrorë, që është sipërfaqja që rrethon këtë hotel.
Vetë Hotel Diplomati ka bërë kërkesë për të legalizuar vetëm një shtesë kati.
Me 14 shkurt, Artan Lame është treguar më i dashur dhe më bujar se sa duhet duke i falur hotelit edhe 372 metra katrorë truall në mes të Tiranës.
Kjo është një shkelje e rëndë, një veprim qartazi korruptiv dhe në kundërshtim me ligjin.
Lame ka bërë kalim pronësie trualli, duke mos pasur asnjë ndërtim në të.
Dhe kjo është lehtësisht e verifikueshme pasi subjekti ka aplikuar me vetëdeklarim me formularin A1 dhe jo me formular A.
ALUIZN-i është agjenci që legalizon ndërtime informale dhe bën kalim pronësie vetëm në troje të zëna me ndërtime pa leje.
Më e rënda është se nga kjo sipërfaqe që Lame e dhuron sipas interesave të tij, 70 metra katrorë i takojnë një familjeje Tiranase, dhe në këtë rast Lamja e Ramës i ka hequr të drejtën e pronësisë kësaj familje.
Këtë vendim abuziv bën mirë të sqarojë Artan Lame, në vend se të merret me propagandë televizive për orë e orë të tëra.
