Pas ndryshimit drastik, Ndocaj: Në Lezhë kur takoj njerëzit më pyesin si është Eduarti, kam ndryshuar dhe numrin e kapeles
Rreth 2 javë më parë e kishim në lidhje me skype nga Milano dhe u surprizuam nga ndryshimi drastik fizik i tij.
Sot ish-deputetin, Eduart Ndocaj, i njohur si "kaubojsi", e kishim të ftuar në studion e "Ditë e Re" në Rtv Ora dhe ku ndryshimet janë të dukshme, aq sa edhe moderatorja Arjola Shehu u shpreh se i duket sikur po bashkëbisedonme një tjetër njeri.
Por këtë "problem" Ndocaj duket se po e has edhe në Lezhë ku ndodhet për pushime, ku tregon se të njohurit kur takon në rrugë e ngatërrojnë me të vëllain.
Ndocaj: Kur takoj njerëzit në Lezhë më pyesin si është Eduarti se mendojnë se jam vëllai që është i vogël se unë por ngjasojmë. Tani është më i shëndoshë se unë. Kur u them se jam Eduarti, thonë mos u tall.
Një betejë e vështirë por nisur nga rezultati, ish-deputeti thotë se duhet ta kishte bërë më herët.
Ndocaj: Ka qenë një betejë e ashpër me shëndetin dhe e fitova, ishte e domosdoshme sepse po kaloja në një mbishëndet të pakontrolluar, isha 132 kg. Pas 6 muajve, tani jam 93. Që kur kemi folur herën e fundit kam hequr 2 kg, kam edhe 3. U detyrova ta bëj për familjen tyime, këshillat mjekësore ishin të njëpasnjëhshme. Kishte vite që doktori im më këshillonte. Ishte vendim i vështirë, edhe realizimi gjithashtu. Muajt e parë ishin të vështirë, në dy muaj e parë kam humbur 25 kg. Ishte dietë drastike dhe pjesë mjekësore.Ndihem shumë mirë dhe paskam gabuar gjithë këto vite që nuk e kam bërë më parë.
Garderobën e ka ndryshuar por duket se nuk ka ndërmend ti hedhë dhe as ti falë të vjetrat për një arsye të thjeshtë.
Ndocaj: Rrobat do ti mbajmë aty si pjesë relike për të kujtuar që: Kurrë më!
I pyetur nëse e kanë privuar nga ndonjë ushqim, Ndocaj thotë mes batutave se mund të hajë çdo gjë por e ka të ndaluar të hajë shumë.
Ndocaj: Të ndaluar nuk kam asgjë, por e kam të ndaluar të ha shumë. Alkool jo, sa më pak brumra, sa më shumë ujë me limon. Për ushqimin kujdeset gruaja, gruan e kam infermiere. Kishte pacientë te puna dhe pacientë te shtëpia.
E ndërsa në studio u shfaq pa aksesorin që e karakterizon, kapelja e kaubojsit, Ndocaj tha se vazhdon ti mbajë dhe pse tanimë në numra më të vegjël.
Ndocaj: E kam në makinë, vazhdoj ti mbaj. Jam detyruar të ndërroj edhe kapelet, ti marr masa më të vogla.
Intervista në studio me moderatoren Arjola Shehu, përgatiti për online Besjana Kuçana
