Tregtarët kundër Panaritit: Nuk e mbyllim tregun, jo penalizim në grup
Tregtarët e ish-Uzinës Dinamo kanë protestuar kundër vendimit të Ministrisë së Bujqësisë për mbylljen e tregut pasi nuk plotëson kushtet higjeno-sanitare.Sipas Kryetarit të shoqatës së tregtarëve, Alfred Bozhiqi ,është e padrejtë që të mbyllet i gjithë tregu vetëm për shkak të disa subjekteve që nuk plotësojnë kushtet sipas ligjit. Ata shprehen se do të përshkallëzojnë protestat nëse kjo çështje nuk zgjidhet.
Për tu njohur më nga afër me pretendimet e protestuesve në ambjentet e ish-Uzinës Dinamo ka shkuar dhe kryetari i Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese dhe Tregtisë, Eduard Shalsi. Deputeti socialist ka premtuar se do të gjendet një zgjidhje në mënyrë që të mos ketë dënime kolektive.
Menjëherë në lidhje me këtë situatë ka reaguar dhe Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, i cili është shprehur se nuk do të ketë asnjë kompromis në lidhje me sigurinë ushqimore, por ndër të tjera premtoi se nuk do të preket askush që përmbush standartet.
“Ministria e Bujqësisë, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, unë, nuk do hezitojmë, nuk do ndalemi e nuk do frenohemi nga kërkesa e vazhduar dhe insistuese për zbatimin e standarteve më të larta të sigurisë dhe cilësisë në prodhimet ushqimore. Ju siguroj se nuk do jetë asnjë lloj kompromisi me këto standarde. Pasi unë dhe Autoriteti Kombëtar i Ushqimit nuk do të bëjmë asnjë kompromis me helmimet, nuk do bëjmë kompromis me infeksionet, nuk do bëjmë kompromis me kancerin, nuk do bëjmë kompromis me keqformimet embrionale që bazën e kanë te ndotja e mjedisit dhe tek ndotja e prodhimeve ushqimore. Prandaj të lejohen autoritetet të veprojnë konform ligjit. Më lejoni të siguroj tregtarët që janë në krahun tonë, pasi jam i bindur që ata janë në krahun tonë për zbatimin e këtyre standardeve, se ata jo vetëm që do jenë në treg, nuk do largohen nga tregu, por përkundrazi do gëzojnë gjithë mbështetjen tonë për të zgjeruar praninë e tyre në treg. Të tjerët, duhet të largohen dhe nuk ka lobim që i shpëton”tha ai.
Fillimisht kërkesa për mbylljen e tregut të ish-Uzinës Dinamo ka ardhur si pasojë e frikës së kontaminimit për shkak të largimit të 750 kg cianur nga një ambjent aty pranë. Pas kontrolleve të bëra nga inspektorëve AKU-së, Ministri i ka dërguar një letër Bashkisë së Tiranës, ku i kërkon mbylljen e tregut pasi nuk përmbushen kushtet higjeno-sanitare.
Për sa i përket ndotjes me cianur, Ministria e Bujqësisë sqaron se është në pritje të matjeve të Ministrisë së Mjedisit, në lidhje me kontaminimin e mundshëm të kësaj zone pas zhvendosjes së sasisë së cianurit.
