Ora News peticion për korrigjimin e raportit të Parlamentit Europian për shpërndarjen e lajmeve të rreme
Avokatët e Ora News dhe të presidentit të televizionit, Ylli Ndroqi kanë kundërshtuar përmes një peticioni gjetjet dhe gjuhën e përdorur në një raport studimor të publikuar nga Parlamenti Europian.
Raporti me titull: "Gjurmimi i lajmeve të rreme dhe dezinformacionit në Ballkanin Perëndimor" akuzon mediat sociale të Ora News si shpërndarëse të lajmeve të rreme dhe nga ana tjetër përdor etiketime fyese dhe të pabazuara ndaj presidentit të Ora News
Raporti, thonë avokatët, përdor metodologji të gabuar kur thotë se mediat sociale të Ora News kanë shpërndarë lajme të rreme.
Në fakt, hartuesit e raportit nuk kanë marrë parasysh se pikërisht rezistenca për të mos publikuar lajme të servirura apo përpjekjet për të ndaluar publikimin e disa lajmeve, ndihmojnë në lirinë e shprehjes dhe të medias.
“Duket jo logjike që për të dalë në konkluzione, ju bazoheni në artikuj të shkruar nga ato media që i akuzoni si kanale të rëndësishme të përhapjes së lajmeve të rreme,” thuhet në peticionin drejtuar Parlamentit Europian dhe hartuesve të raportit.
Raporti përmend si lajme të rreme publikimin një videoje të shpërndarë nga kryeministri Edi Rama në lidhje me kontrollet e supozuara të policisë në Spanjë për masat anti-Covid, që në fakt rezultoi se ishte regjistruar në Algjeri.
Gjithashtu raporti i referohet një kronike të televizionit italian Rai 3 për drogën në Shqipëri si dhe rasteve të lajmeve për pandeminë e Covid-19, lajme që në fakt nuk kanë për autor vetë televizionin Ora News.
Avokatët gjithashtu theksojnë se nuk ka asnjë provë ligjore që vërteton se presidenti i Ylldon Media Grup është një oligark.
Duke ju referuar një shkrimi për sekuestrimin e televizionit, hartuesit e raportit kanë keqpërdorur fjalën Media Mogul, duke e zëvendësuar atë me oligark.
Raporti për përhapjen e lajmeve të rreme në Ballkanin Perëndimor u porosit nga Komisioni i Çështjeve të Jashtme i Parlamentit Europian për arsye studimore.
“Ne shprehim keqardhje që në raportin tuaj përdoret e njëjta gjuhë si akuzat politikisht të motivuara ndaj zotit Ndroqi, bërë nga zyrtarë të lartë të mazhorancës,” thekson peticioni i avokatëve që nga ana tjetër i bën thirrje Parlamentit të heqë pjesët e pasakta.
