Për stërvitjen morale dhe sociale të një populli

Për stërvitjen morale dhe sociale të një populli

Për stërvitjen morale dhe sociale të një populli, analisti Ilir Demaliaj sjell në vëmendjen e opinionit shqiptar një shkrim të publikuar 102 vite më parë nga publicisti i madh Faik Konica.

Për cilin vend, për cilin popull flas, do ta kuptoni menjëherë kur t’iu them që nuk ndodhet në mes të Afrikës, por në Evropë.

Po të më pyeste njeri: ç’ndryshim ka në mes të popujve të egër dhe popujve të qytetëruar, edhe po të më lutej të përgjigjesha mirë me katër a pesë fjalë me kuptim të plotë, do t’i thosha: Popuj të qytetëruar janë ata që kanë për themel “Dekalogun” ose ndonjë kanun që zë vendin e Dekalogut. Popuj të egër janë ata që nuk njohin asnjë rregull të këtillë. I pesti urdhër i Dekalogut thotë: MOS VRIT! Për të vënë këtë urdhër në veprim janë bërë kanunet, gjyqet, xhandarët, burgjet. Katër vegla, të cilat kurrë nuk mbeten të ndryshkura, por punojnë si duhet, janë shenjat e para të një populli të qytetëruar. Do të më presë njeri fjalën a do të më thotë: Pse në Francë, në Angli, në Amerikë etj., që janë pa dyshim vende të qytetëruara, nuk ka përditë vrasje, vjedhje dhe njëqind të liga të tjera?

Pëgjigjem: Pa dyshim ka dhe do të ketë kurdoherë. Këtë nuk e mohon njeri. Po vini re një ndryshim me rëndësi shumë të madhe: në vende të qytetëruara, krimineli shikohet me sy të keq, si një gjë e fëlliqur dhe e poshtër; sicilido qe i ndih policisë që ta zërë. Edhe nëqoftëse keqëbërësi shpëton nga të mos paturit mjaft prova, dyshimi që e rrethon arrin për të ftohur e për të larguar botën. Po është një vend në faqe të dheut ku katilin e kanë për njeri të nderuar, hapen që t’i bëjnë udhë kur ikën, e fshehin nga i vetethëni gjyq, në i’u tektë së vetëthënës policë të bëjë sikur e kërkon, edhe në daltë ndonjë i çmendur për të marrë anën e kanunit, e shajnë dhe e fëlliqin me një zell të çuditshëm. Prandaj ai vend ka fituar një famë shumë të shëmtuar në botë. Kur i dëgjohet emri në një sallon a në rrugë, njerëzve u ngjethet mishi e u vjen ndot. Në qendra diturie, e shikojnë si një shpellë kafshësh të egëra ku nuk është dukur kurrë ndonjë shenjë njerëzie.Në qarqet politike e diplomatike thonë se është për të qeshur të lihet i lirë një popull, i cili s’ka ditur gjë tjetër në më tepër se dymijë vjet, veçse të derdhë gjak dhe s’njeh tjetër zanat veç vrasjes. Të tilla fjalë janë thënë mijëra herë me gojë dhe me penë. Për cilin vend, për cilin popull flas, do ta kuptoni menjëherë kur t’iu them që nuk ndodhet në mes të Afrikës, por në Evropë.

Kur nisa luftën time për çlirimin e Shqipërisë, njëzet e pesë vjet më parë, kujtoja, si shumë i ri që isha, se problemi ish vetëm një problem kombësie. Besoja se pa të arrinte të zgjohej plotësisht ndjenja e kombësisë në zemër të shqiptarëve, themelimi i Shqipërisë së lirë ish një punë e mbaruar, porsa të vinte rasti dhe pa dyshim rasti do të vinte një ditë. Kur m’u poq mendia, që pesëmbëdhjetë vjet e tëhu, kuptova se problemi i Shqipërisë më tepër se kombëtar, ish një problem moral. Me të tjera fjalë, kuptova se ky popull që të shpëtojë, ka nevojë më parë se çdo gjë tjetër që t’i stërvitet e lartësohet karakteri, t’i zbutet e t’i pastrohet zemra. Dëshmimi i gënjeshtërt, shpifja dhe vjedhja kanë qënë kurdoherë buka e përditshme e çdo shqiptari “të ndershëm”, por më tepër se të gjitha kanë qënë pusia dhe vrasja.

Faik Konica

Për stërvitjen morale dhe sociale të një populli

Romë 10 Maj 1921

ilir demalia faik konica

EMISIONET