"Nuk mund të shkarkohet një mjek se shau mretin..." bluzat e bardha në protestë në mbrojtje të Ilir Allkjas
Sindikata e mjekëve ka dalë ditën e sotme në protestë përpara ambienteve të QSUT kundër shkarkimit të Ilir Allkjas nga detyra.
Mjekët e konsiderojnë si të padrejtë këtë vendim, ndërkohë që kanë kërcënuar edhe se protestat mund të përshkallëzojnë.
“Në një mungesë të theksuar të mjekëve kemi luksin që të nxjerrim nga fronti i parë mjekë që arrijnë ta bëjnë punën e tyre nën llogore të kësaj lufte. Nëse do të kthehemi 90 vite më parë, një nga zyrtarët thonte se do të futet në burg se ka sharë mbretin. Para 35 vitesh thuhej se është armiku i klasës dhe rrjedhimisht duhet të shkojë për riedukim në ndërtim. Sot thuhet që ka shkelur kodin etik. Mjekët janë asete të çmuara veçanërisht në këtë situatë. Më vjen keq që gjendemi përpara kësaj situate.
Në betimin e Hipokratit që kemi bërë, mjeku shikohet dhe dënohet nga kodi penal vetëm kur me veprimin apo mosveprimin e tij shkakton vdekjen e personit. Ne sot bëjmë një vdekje profesionale të kolegut tonë me dëshirë. Kjo është e papranueshme.
Nesër këtë lloj ritmi mund ta ketë kushdo në rrugën e vet, por nuk mendoj se është e drejtë. Do të duhet një lloj bashkëbisedimi dhe një ulje tensionesh. Është e sigurt që ky mjek do të fitojë në gjykatë. Po ato para që do të fitojë pa punuar do të dalin nga xhepat e popullit.
Nuk mund të përjashtohet mundësia që sindikata të dalë me vendimin se si mund ta përshkallëzojmë këtë lloj vajtimi që po bëjmë në këtë ditë që duhej të ishte ndryshe, për të mbrojtur kolegun.
Nuk mund të dënohet një mjek përse ka sharë mretin. Kjo është një mendësi e 90 viteve përpara”, ka thënë kreu i sindikatës doktor Gentian Stroni.
Ilir Allkja është shkarkuar nga drejtori i QSUT Enkelejd nën arsyetimin se ai ka shkelur etikën e punës duke publikuar materiale konfidenciale përmes komunikimeve të tij në rrjetin social Facebook si edhe në media. Mjeku Allkja ka denoncuar shkeljet e menaxhimit të situatës të pandemisë në vend.
