Ngritja e Gjykatës Kushtetuese, Bozheku: Po vendoset një standard i ri antikushtetues në një drejtësi që supozohet të jetë e reformuar
Gjykata Kushtetuese, pas emërimit të dy anëtarëve të rinj të saj, Altin Binaj dhe Përparim Kalo, konsiderohet funksionale për të nisur procesin e vlerësimit të dosjeve në kompetencë.
I ftuar në një intervistë për RTV Ora avokatja, Enida Bozheku, tha se ngritja e Gjykatës Kushtetuese me mënyrën e zgjedhjes së kandidatëve është bërë duke vendosur një standard të ri antikushtetues në një sistem drejtësie që supozohet të jetë i reformuar.
Enida Bozheku për RTV Ora: Problemi është ky. Derisa ne themi që duam të ndërtojmë një sistem të ri drejtësie ku Gjykata Kushtetuese është themeli atëherë vetë Kushtetuta lexon që për çdo emërim kandidaturash sipas funksioneve që do të kryejnë apo nga emërimet që vijnë duhet të jetë 3 për një vend. Që do të thotë që nuk mundemi të bypass-ojmë Kushtetutën dhe të themi që në këtë situatë ekstra ne jemi të detyruar ta ngremë dhe ta ngremë duke shkelur Kushtetutën. Sepse është duke u vendosur një standard i ri antikushtetues në një sistem drejtësie që presupozohet të jetë i reformuar dhe duhet të sillte risi për zbatimin e ligjit jo për vetë shkeljen e ligjit.
Sipas avokates ajo çfarë mund ta pengojë Gjykatën nga veprimtaria e saj normale është numri aktual i gjyqtarëve.
Enida Bozheku për RTV Ora: Duke thënë që me 6 anëtarë mund të merren vendime, në të vërtetë jo nuk mund të merren vendime të paktën kushtetueshmërisht legjitime. Për vetë faktin se kur flasim për numër anëtarësh themi 9 apo 7, janë gjithmonë tek. Tek për faktin se vendimmarrja duhet të jetë shumicë dhe Kushtetuta vetë e thotë vendimmarrja është me shumicë ku publikohet dhe mendimi i i pakicës. Në këtë rast kemi 6 anëtarë ku mund të jenë të gjashtë në unanimitet vendimmarrjeje dhe nuk ka asnjë lloj problemi por nëse kemi 3 me 3 atëherë do të shtrohet problemi kush prevalon dhe në një vendimmarrje të caktuar ku Gjykata Kushtetuese jona në këtë moment do të gjykojë çështje shumë të zjarrta nuk e di sesa legjitime është vendimmarrja e tyre.
Intervistoi Xhoi Malësia, përgatiti për online E.P
