Nga nesër hyrja në Greqi e kufizuar: Nga Kakavija do hyjnë vetëm 750 shtetas, nga Kapshtica 300 vetë çdo ditë
Policia e Shtetit njofton qytetarët për lëvizjen në pikat kufitare në Kakavijë dhe Kapshticë, ku prej ditës së nesërme kalimi do jetë i limituar, dhe pas plotësimit të disa dokumenteve. Blutë theksojnë se sërish qëndrojnë në fuqi kushtet e vendosur më herët.
Policia e Shtetit ka bërë publike kushtet që çdo qytetar në Shqipëri duhet të plotësojë për të kaluar në pikat kufitare të vendeve fqinje ku vëmendja është përqendruar me Greqinë. Duke filluar që nesër, kalimi në dy pikat doganore, Kakavijë dhe Kapshticë, do të kryhet nga ora 6 e mëngjesit deri në orën 10 të darkës. Numri i qytetarëve do jetë i limituar të cilët do lejohen të kalojnë në ditë përkatësisht 750 shtetas nga Kakavija, dhe 300 shtetas nga Kapshtica.
Sipas policisë për të kaluar drejt Greqisë, qytetarët duhet të kenë kryer testin e COVID 19, jo me vonë së 72 orë nga dita e udhëtimit dhe rezultati të jetë NEGATIV, testimi të jetë bërë nga Instituti i Shëndetësisë ose nga çdo spital apo klinikë e certifikuar nga shteti. Certifikata duhet të përmbajë të dhënat personale të personit, numrin e pasaportës ose të kartës greke, rezultatin negativ të testit, emrin e Institucionit ku është kryer testimi, adresën, numrin e telefonit, si dhe të jetë e përkthyer në gjuhën angleze.
Blutë shprehen se do të lejohen të hyjnë në Republikën e Greqisë shtetasit që kanë leje qëndrimi greke ose shtetësi greke, punëtorët sezonal, si dhe çdo shtetas që ka marrë konfirmim nga autoriteti përkatës, të cilët duhet të këtë plotësuar formularin PLF.
Qytetarët të cilët do kalojnë drejt vendit fqinj duhet të kryejnë karantinën 7 ditore, ndërsa apelohet që qytetarët të mos dynden në të njëjtën kohë duke krijuar kështu vonesa në plotësimin e procedurave. Së fundmi policia thekson se lëvizja me Kosovën, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut vijon të jetë me të njëjta kushte.



