Bajram Begaj Presidenti i Ri me 78 vota pro, 1 votë rrjedh nga opozita. Berisha e Alibeaj e bojktojnë
Ish gjeneralmajori Bajram Begaj i propozuar nga Partia Socialiste është Presidenti i 8-të i Republikës së Shqipërisë.
Nga votimi në Kuvendin e Shqipërisë mori 78 vota pro dhe 4 vota kundër dhe një abstenim ndërsa i duheshin vetëm 71 për të zëvendësuar Ilir Metën.
Në procesin e votimit morën pjesë 83 deputetë, nga të cilët 74 ishin nga mazhoranca.
Nga opozita votuan Mesila Doda, Shpetim Idrizi, Nusret Avdullai, Monika Kryemadhi, Petrit Vasili, Erisa Xhixho ndërsa në votime morën pjesë edhe tre deputetë të PSD.
Raundi i katërt i votimit të Presidentit të ri të vendit është bojkotuar nga 30 deputetë. LSI ka deklaruar se do të votojnë kundër! Nga ana tjetër Rithemelimi i Berishës bojkoton seancën.
Pas seancës së posaçme plenare, kryeministri Edi Rama u shpreh se me zgjedhjen e presidentit është arritur qartësisht objektivi që është vendosur më herët.
Ai tha se tashmë PS i ka dhënë Shqipërisë një president normal dhe një figurë të pakontestueshme në integritet e humanizëm.
LAJMI NË PËRDITËSIM
Ora 19:59 Begaj president, Alibeaj: Opozita i duhej Ramës vetëm fasadë, nuk jemi garniturë e pjatës së tij
Enkelejd Alibeaj, ka reaguar pasi Bajram Begaj u zgjodh president i Republikës së Shqipërisë me 78 vota pro.
Në një postim që ka bërë në rrjetet sociale, Alibeaj shkruan se seanca për zgjedhjen e Presidentit të Republikës ishte farsa e radhës për të cilën opozita i duhej Ramës vetëm për fasadë.
Ora 19:41 Rama: Bashën lëreni të flejë, nuk kërkuam konsensus me të vdekurit, por me të gjallët!
Në një prononcim për gazetarët kryeministri Edi Rama u shpreh se nuk ka kërkuar një konsensus nga ana e opozitës, duke i quajtur si të vdekur.
Ndërkohë, ai nuk la pa përmendur edhe ish-kreun e PD-së, Lulzim Bashën, për të cilin i pyetur nga gazetarët tha lëreni të flejë.
Rama: Se kemi pritur kurrë dhe se kemi kërkuar kurrë një konsensus me të vdekurit. Ne kemi qenë këtu për të pasur konsensus me të gjallët dhe këtu kuptoj njerëzit që besojnë tek ky vend. E kemi arritur plotësisht me këtë figurë.
Pyetje: Nuk erdhi as Lulzim Basha në votim.
Rama: Lëreni të flejë.
Ora 19:30 Pas votimit, Bajram Begaj del i buzëqeshur nga Kuvendi. Presidenti i ri merret në mbrojtje nga Garda
I buzëqeshur ka dalë nga salla e Kuvendit Bajram Begaj, Presidenti i ri i vendit. Kandidatura e propozuar nga Edi Rama dhe 36 deputetë të tjerë socialistë arriti të merrte 78 vota pro, 4 më shumë se votat e PS.
Ora 19:21 Rama: Shembull i një burri të qetë, të arsyeshëm dhe normal
A ndihet i lumtur Rama tani që mori dhe presidencën?
Edi Rama: Lumturia është një fjalë shumë e madhe por ajo që mund të them me plot gojë është që më vjen s humë mirë që në një proces aspak të lehtë në një sallatë palësh në anën tjetër të gjysmësferës së parlamentit kemi arritur ti japim jetë një procesi ku të gjithë kanë pasur mundësi të kontribuojnë dhe ka dalë një figurë qartësisht e identifikueshme me qytetarin shqiptar e dinjtoz e të respektueshëm e besnik ndaj vendit e detyrës, shembull I një burri të qetë, të arsyeshëm dhe normal.
Ora 19:00 Begaj zgjidhet president me 78 pro, 4 kunder, 1 abstenim
Siç paralajmëroi Ora News, Begaj mori më shumë se 74 votat e maxhorancës. Duket që 3 vota janë të deputetëve të PSD-së, ndërsa 1 votë ka rrjedhë nga opozita.
Nga opozita ata që votuan ishin deputetët e PDIU-së, Mesila Doda, Shpetim Idrizi, Nusret Avdullai, dhe nga LSI Monika Kryemadhi, Petrit Vasili, Erisa Xhixho.
Deputetët e PD-së, si ato që mbështesin Berishën dhe ato jo u larguan dhe nuk morëm pjesë në votim

Ora 18:59 83 deputetë kanë marrë pjesë në votim. Vijon numërimi
Ora 18:40 Opozita bojkotoi votimin për presidentin/ Balla: E rëndë që PD nuk ka mësuar nga gabimet e së shkuarës. Berisha fantazmë
Taulant Balla ka dalë në një deklaratë për mediat pasi ka hedhur votën për Bajram Begajn për president të Shqipërisë.
Balla: Kushtetuta është e qartë. Fantazmat kanë problem me Gjeografinë sepse nuk I përkasin territorit. të thuash që konsullata shqiptare në Stamboll nuk është shqiptare, është një lloj sikur ka thënë dikur që deti I Shqipërisë është i Greqisë. Për dikë që unë e mendoj disa herë nëse meriton apo jo përgjigje, besoj se ç farë thashë më lartë i ka të gjitha përgjigjet brenda. Procesi është kushtetues. E drejta për t’u zgjedhur president i Shqipërisë i takon gjithkujt. Kuvendi ka pritur me seriozitet procedurën. Nëse Berisha është i kënaqur nga presidenti Ilir Meta dhe do të shohë Metën për kohën e mbetur, ta provojë.
Ora 18:33 Firma e Metës/ Berisha: Presidentit i humbet fuqia për të firmosur dekrete kur është jashtë vendit
Nga ambientet jashtë kuvendit, ish-kryeministri Sali Berisha u shpreh se në të drejtën kushtetuese evropiane presidenti humbet të fuqinë për të miratuar dekrete kur del jashtë vendit.
Berisha tha se ai u largua nga kuvend sepse donte ta bënte këtë deklaratë, por sipas tij zonja Linda që e përdor parlamentin si dyqanin e saj nuk na lejojë.
Berisha: Në të drejtën kushtetuese evropiane presidenti humbet të fuqinë për të miratuar dekrete kur del jashtë vendit. Jashtë territorit nuk ka dekret. Kjo është e drejta kushtetuese evropiane. Varet se cilës së drejtë i përmbahesh. Nëse i përmbahesh kësaj evropianet nuk e lëshon. Kur je jashtë vendit kryetar parlamenti është kryetari i vendit.
Ora 18:31 “Nuk bojkotojmë, por nuk votojmë” Bardhi ironizon Grupin e Rithemelimit
Ora 18:30 Në kuvend vijon votimi i fshehtë ndërsa deputetët e grupit të Berishës bojkotuan seancën.
Ora 18:25 Berisha: Në kuvend po kryhet një akt anti-kushtetues, kandidati e nis udhën e tij me shkelje
Nga ambientet jashtë kuvendit, ish-kryeministri Sali Berisha u shpreh se në kuvendin e Shqipërisë po kryhet një akt anti-kushtetues me votimi ne presidentit të ri.
Sipas Berishës, votohet në shkelje të kushtetutës për president republike njeriu që kaloi nga karrigia e shefit të shtabit në karrigen e kreut të shtetit duke shkelur kushtetutën.
Ora 18:24 Rama shtrëngon duart me kandidatin Bajram Begaj në Kuvend
Kryeministri Edi Rama përshëndeti Bajram Begaj, kandidatin socialist për president i cili nga lozhja e kuvendit ndjek të gjithë seancën. Foto: LSA

Ora 18:18: Berisha dhe deputetët mbështetës lënë sallën, deklaratë për median jashtë Kuvendit.
Ora 18:16 103 deputetë prezentë në sallë, 26 janë deputetë të opozitës
Ora 18:12 Bajram Begaj në seancë, i duhen 71 vota për tu bërë President
Kuvendi mblidhet në raundin e katërt për zgjedhjen e Presidentit.
Kandidati për president i kryeministrit Edi Rama dhe 36 deputetëve socialist mbërriti në kuvend me makinë të Ministrisë së Mbrojtjes.
Seanca nisi me kryetaren e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka e cila lexoi raportin e përgatitur nga komisioni.
Bajram Begajt i nevojiten 71 vota për tu emëruar president por të gjitha gjasat janë që të marrë më shumë se kaq.
“Të gjitha gjasat janë që të marrë më shumë pasi PS ka 74 deputetë + 3 deputetë të PSD-së që janë në favor” raporton gazetarja e Ora News, Fjorela Beleshi.
Ndërkohë në kuvend janë të pranishëm dhe deputetët e PDIU-së, Shpëtim Idrizi, Mesila Doda, deputetët e grupit Berisha.











