Zgjedhja e presidentit, PD: Begaj nuk mund të kundërshtohet se është ushtarak, por si zgjedhje personale e Ramës
Grupi parlamentar i PD-, ka reaguar sërish në lidhje me kandidatin për president Bajram Begaj, i cili pritet të kalohet për votim sot në Kuvend.
Zëdhënësja e grupit parlamentar të PD-së, Oriola Pampuri, në një postim që ka bërë në rrjetet sociale, thotë se Kryeministri Edi Rama do ta zyrtarizojë në mënyrë të njëanshme presidentin ndërsa shtoi se zgjedhja e tij nuk ishte gjithëpërfshirëse.
Ajo shton se PD bëri gjithçka që të përfshihej në proces për qytetarët shqiptarë ndërsa shtoi se marrëveshja nga Rama se ishte i gatshëm për president konsensual ishte mashtrim publik.
Reagimi i plotë:
Edi Rama do zyrtarizojë sot në mënyrë të një anshme emërimin e Presidentit të Republikës, që nxori dje nga xhepi, pa asnjë proces gjithëpërfshirës dhe transparent. Propozimi i kandidatit për President nga nongratat e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, të damkosur nga SHBA se kanë vjedhur vota në bashkëpunim me krimin e organizuar, është prova e qartë e mungesës së legjitimitetit të PS për të zgjedhur njëanshmërisht Presidentin e Republikës.
Partia Demokratike bëri gjithçka dhe u perfshi në proces, në respekt të qytetareve dhe përgjegjësive të veta kushtetuese. Ne nuk bojkotuam, nuk u fshehëm, nuk bëmë retorikë politike. Tentuam të ndërtonim një proces që i jepte Shqipërisë një President që përfaqëson unitetin e popullit. Edi Rama nuk donte një proces gjithëpërfshirës, u tërhoq nga marrëveshja me opozitën dhe provoi para shqiptarëve që përbetimi se ishte i gatshëm për President konsensual ishte një mashtrim publik.
Legjitimimi i këtij procesi të njëanshëm dhe fshehja pas artificave procedurale, gjoja me votë kundër sepse është ushtarak, është shërbimi më i mirë për ti dhënë tiparet e normalitetit demokratik regjimit të Edi Ramës. Bajram Begaj nuk mund të kundërshtohet se është ushtarak, por se është zgjedhje personale e Edi Ramës, në bashkëpunim me mafian e pronave shtetërore. Çdo cicërimë e ndryshme është thjeshtë fasadë për të fshehur legjitimimin e kapjes së një tjetër institucioni të pavarur nga Edi Rama, pikërisht nga të njëjtët individ që deri dje akuzonin duke shpifur kolegët e tyre se po bëheshin pjesë e “farsës”.
