Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla i bën kërkesë vetes për nënshkrimet e presidentit të ri
Duket se kryeministri Rama i ka vënë në resht deputetët socialistë për të firmosur dhe votuar për presidentin e ri Bajram Begaj.
Ndërkohë, në dokumentin e nënshkruar nga deputetët socialistë drejtuar kryetares së Kuvendit Lindita Nikolla, ka firmosur edhe vetë Nikolla.
Pra, Nikolla i ka drejtuar vetes së saj kërkesë për këto nënshkrime nga ana e mazhorancës.
Instituti për Studimet Politike shkruan për këtë rast se mazhoranca i ka firmat dhe një person politik dhe institucional nuk mund t’i drejtojë kërkesë vetvetes.
ISP: Duke parë dokumentin iniciues parlamentar rezulton se akti kushtetues i mbledhjes së nënshkrimeve drejtuar kryetares së Kuvendit Lindita Nikolla, ndonëse nis me shprehjen standarde “e nderuara zonja kryetare e Kuvendit” vijon me nënshkrimet, ku vetë “e nderuara zonja kryetare e Kuvendit” është firmë e tretë! Mazhoranca i ka firmat e nevojshme, vendimmarrja është tashmë procedurë, ndaj thjesht ka luksin të zgjedhë cilët deputetë do të nënshkruanin formalisht aktin. Një person politik dhe institucional nuk mund t’i drejtojë kërkesë vetvetes, sidomos në një akt të tillë me vlerë kushtetuese e gjurmë referuese për memorien historike dhe institucionale, ndaj ky paradoks etik e protokollar mund /duhej të evitohej.
Për të shkuar akoma më tej, e njëjta gjë mund të thuhej edhe për nevojën e përzgjedhjes cilësore, evitimit të firmave nënshkruese nga deputetë që janë pjesë direkte/indirekte të listave non grata apo penalizimeve të njohura nga partnerët strategjikë, SHBA dhe BE.
Juristët që këshillojnë praktikën në raste të tillë, këshilltarët e grupit dhe të Kuvendit që hartojnë dokumentet dhe politikanët që ende kanë njohuri mbi shtetin dhe praktikat e mira institucionale, do të duhet të këshillonin eprorët e tyre dhe të evitonin dokumente të tilla, duke menduar edhe për solemnitetin dhe seriozitetin e procesit, vendimmarrjes dhe aktit kushtetues me vlerë historike.
