Debate të “Ligjet” për presidentin e ri, Bylykbashi: Anti-kushtetues, Bushka: Nuk na bindni dot!
Në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve ka shpërthyer një debat mes opozitës dhe mazhorancës lidhur me kandidaturën e Bajram Begajt për president.
Deputeti demokrat, Oerd Bylykbashi bëri të qartë qëndrimin politik që do të mbahet në seancën e orës 18:00 në Kuvend nga opozita e cila do jetë kundër kësaj kandidature.
Madje ai ka kërkuar edhe dekretin e Metës nga Stambolli dhe tha se parimi që kërkohet nga Kushtetuta është se ushtarakët e shërbimit aktiv nuk propozohen për president të vendit.
“Po e fusni zgjedhjen e presidentit në antikushtetueshmëri.”
"Nuk është një shqyrtim që mund ta bëjë sekretaria, duhet të jemi ne që të konstatojmë kushtetutshmërinë e kandidatit. Është detyrë e jona mbi të gjitha këto, nëse kandidatura ka ndalesa. Presidenti i Republikës, në momentin e kandidimit duhet të jetë i lirë nga çdo detyrë ushtarake. Nuk ka dokument që e vërteton dekretin e presidentit."
Ndërkohë, kryetarja e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka nga PS tha se me dekret të presidentit në datë 4 maj kandidati për president, Bajram Begaj është liruar nga detyra si kryetar i FA-së.
Bushka: Me dekret të presidentit në datë 4 maj kandidati për president, Bajram Begaj, në fakt është liruar nga detyra si kryetar i FA-së dhe është nxjerrë në lirim. Dekreti është nxjerrë menjëherë. Ju doni të justifikoni qëndrimi tuaj politik. Nuk duam t’ju dëgjojmë.
Bylykbashi: Dua të them diçka. Meqë jemi komisioni i ligjeve.
Bushka: E thatë atë që donit të thoni, nuk na bindni dot!
Bylykbashi: Meqë jemi komisioni i ligjeve. Procesi i kandidimit është proces i zgjedhur.
Bushka: Zoti Majko merrni fjalën! Merreni nëse e jap!
