Orët e fundit drejt Presidentit të ri/ Raporti kalon në Kuvend me votat e socialistëve dhe deputetit PSD. Bylykbashi dhe Xhixho kundër
Me votat e deputetëve socialistëve dhe të deputetit të PSD-së Gledis Çeliku Komisioni i ligjeve kaloi në seancë raportin për Bajram Begën si kandidat për postin e presidentit.
Kandidatura e tij u firmos nga 37 deputetë socialistë, përfshi dhe kryeministrin Edi Rama.
Në Komisionin e Ligjeve mbledhja e të cilit nisi në orën 16:00 munguan grupi i deputetëve demokratë mbështetës të Alibeajt.
Ndërkohë deputeti demokrat Oerd Bylykbashi, mbështetës i Berishës e quajti procedurën antikushtetuese pasi po synohet të emërohet një ushtarak dhe bëri të qartë qëndrimin politik që do të mbahet në seancën e orës 18:00 në Kuvend.
Demokratët do të votojnë kundër.
Oerd Bylykbashi: “Parimi që kërkon Kushtetuta është ushtarakët e shërbimit aktiv e propozoni për president të Republikës. Kjo kushtëzon votën tonë kundër ndaj kandidaturës për president të Republikës.
Po e fusni zgjedhjen e presidentit në antikushtetuesshmëri. Ne e votojmë kundër këtë kandidat sepse përveçse po bëni kapjen finale të të gjitha pushteteve duke bërë kapjen e të gjitha pushteteve duke bërë çmos që të shmangnit detyrimin kushtetues për një konsensus, zgjodhët këtë proces që ndër të tjera ju fut në antikushtetueshmëri “
Socialistët thonë se dekreti i presidentit Meta që liron nga detyra Bajram Begën nga posti i shefit të Shtabit të Përgjithshëm hyn në fuqi menjëherë.
Në replikë Klotilda Bushka tha: Doni të justifikoni retorikën tuaj politike.
Pas debatit Komisioni i Ligjeve votoi që raporti të kalojë në Kuvend.
Raporti kaloi në Kuvend me votat e socialistëve dhe deputetit PSD. Bylykbashi dhe Xhixho votuan kundër.
Seanca do të mbahet në ora 18:00 dhe votimi do të jetë i fshehtë.
