HISTORIA E PLOTË/ Lezhë: Ekzekuton oficerin e policisë kriminale, qëllon edhe helikopterin. Më pas tenton vetëvrasjen
Një oficer policie u ekzekutua paraditen e 28 shtatorit 2021 në Kune Vain të Lezhës.
Saimir Hoxha, 44 vjeç babai i dy fëmijëve ishte nisur në aksionin antikanabis së bashku me 4 efektivë të tjerë, mes tyre Shefi i Krimeve në Lezhë.
Në një rrugë policët janë përballur me një automjet të dyshimtë.
Menjëherë i kanë dhënë sinjal për të ndaluar dhe pranë makinës ku ndodhej 21-vjeçari Aldi Rama, është afruar Saimir Hoxha ndaj të cilit Rama ka qëlluar me armë zjarri. Plumbi e ka goditur në zemër efektivin nga Puka.
Në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe disa gëzhoja të tjera, ndërsa policia u tregua e rezervuar për të konfirmuar nëse ka pasur shkëmbim armësh mes efektivëve dhe 21-vjeçarit.
Autori arriti të largoj menjëherë nga vendi i ngjarjes, ndërsa kolegët e Hoxhës ndaluan 2 miqtë e Aldit me të cilët ishte në makinë.
Në vendin e ngjarjes mbërritën Forcat Special, Forcat RENEA dhe efektivë nga Tirana të cilët u vunë në ndjekje të autorit.
Pas disa orësh kërkimesh edhe me helikopter 21 vjeçari u lokalizua. Aldi Rama qëlloi të paktën dy herë drejt helikopterit të policisë, ndërkohë policia vuri në dispozicion 20 mijë euro për këdo që jepte informacion të vlefshëm për vendndodhjen e autorit të vrasjes së policit 44 vjeç.
Sipas policisë, efektivët i kanë bërë thirrje që të dorëzohet, por ai ka kundështuar dhe më pas është vetëplagosur me armën e tij para se të arrestohej nga policia.
Policia njoftoi se autori ka qenë i dënuar më parë për prodhim dhe shitje të narkotikëve dhe mbajtje pa leje të armëve të ftohta.
Pas 6 orë kërkimesh 21-vjeçari u gjet i vetëplagosur në një zonë mes shkurresh, ndërsa pranë kishte një pistoletë dhe telefonin. Pasditen e vonë i riu ushoqërua fillimisht në spitalin rajonal të Lezhës, më pas u tarnsportua drejt Traumës në gjendje kritike për jetën.
Të gjitha zhvillimet
Ora 21:42 Foto/ Pranë tij pistoleta dhe telefoni, momenti kur Aldo Rama u gjet i vetëplagosur pas vrasjes së oficerit të policisë
Ora Neës ka siguruar foton e pistoletës dhe telefonit që 21-vjeçari kishte me vete në momentin kur është gjetur i vetë-plagosur nga forcat e policisë.
Sipas policisë, efektivët i kanë bërë thirrje që të dorëzohet, por ai ka kundërshtuar dhe më pas është vetë-plagosur me armën e tij.
Ora 21:13 Publikohen pamjet/ Me helikopter e snajper, policia 6 orë në ndjekje të 21-vjeçarit që vrau oficerin
Janë publikuar pamjet e ndjekjes nga RENEA të 21-vjeçarit Aldi Rama në lagunën e Kunë – Vainit ku ishte fshehur pas vrasjes së nënkomisarit Saimir Hoxha.
Menjëherë pasi e qëlloi me plumb në zemër 21-vjeçari Rama, u arratis në zonën aty pranë.
Në vendngjarje menjëherë arritën forcat speciale RENEA, ndërsa në ndihmë të efektivëve nga toka u vendos edhe helikopteri i policisë që monitoronte territorin nga ajri.
Me makina të blinduara, dhe me snajpera, forcat speciale kontrolluan për orë të tëra çdo centimetër të territorit të Ishull-Lezhë, ku kishte dyshime që mund të fshihej autori.
Pas disa orësh kërkime, helikopteri e lokalizoi 21 vjeçarin, ndërsa ai qëlloi me armë drejt helikopterit dhe arriti që të shpëtonte sërish.
Ora 20:12 Vrau oficerin e krimeve/ Aldi Rama në gjendje të rëndë te Trauma, i intubuar në reanimacion
Aldi Rama, 21-vjeçari që vrau me dy plumba në zemër oficerin e Krimeve të Rënda, 44-vjeçarin Saimir Hoxha mbërriti në spitalin e Traumës në Tiranë rreth orës 18:00.
Mësohet se Aldi Rama ndodhet në gjendje të rëndë, i intubuar në reanimacion.
Burime për Ora News bëjnë me dije se gjysmën e trurit e ka jashtë funksionit dhe shpresat për të shpëtuar janë të pakta.
Ora 18:05 Qëlloi veten me plumb në kokë, mbërrin në spitalin e Traumës autori i vrasjes së oficerit në Lezhë
Ka mbërritur në Tiranë, në spitalin e Traumës 21-vjeçari Aldi Rama, që vrau me dy plumba në zemër oficerin e Krimeve të Rënda, 44-vjeçarin Saimir Hoxha.
Mësohet se Aldi Rama ndodhet në gjendje të rendë, i intubuar.
Ai sapo është futur në sallën e operimit për t'i bërë ekzaminimet e mëtejshme.
Ora 17:15 I shtrirë në barrelë, Aldi Rama mbërrin në gjendje të rëndë në spitalin e Lezhës
Aldi Rama, 21-vjeçari që vrau ditën e sotme një efektiv policie, mbërrin në spitalin e Lezhës.
Mësohet se gjendja e tij shëndetësore është e rëndë dhe do të jetë spitali që do të vendosë nëse ai do të sillet në Tiranë.
Ora 16:37 Zbulohen personat që ishin në makinë me Aldi Ramën, merren në pyetje nga policia
Kristian Sherri dhe Armando Marku, janë dy personat që kanë qenë në makinë së bashku me 21-vjeçarin Aldi Rama, 21-vjeç, që dyshohet se ka vrarë efektivin e policisë Saimir Hoxha 44-vjeç.
Burime për Ora News, bëjnë me dije se Sherri dhe Marku, ndodhen në komisariatin e policisë, ku dhe po merren në pyetje për të dhënë detaje në lidhje me ngjarjen.
Ora 16:35 Vrasja e oficerit, policia e Lezhës kishte informacion për një parcelë ku kultivohej kanabis
Një oficer policie u ekzekutua paraditen e 28 shtatorit në Kune Vain.
Gazetari i Ora News, Edison Vatnikaj informon se në Drejtorinë Vendore të Policisë së Lezhës kanë pasur informacion për një parcelë ku kultivohej kanabis në zonën e Lezhës dhe menjëherë janë ngritur strukturat e posaçme për të goditur këtë rast. Pjesë e këtij grupi ka qenë edhe nënkomisari Saimir Hoxha, 44 vjeç, i cili është qëlluar për vdekje nga 21-vjeçari Aldi Rama.
Ora 16:30 Aldo Rama u lirua në 6 maj 2021, ishte dënuar me mbi 3 vite burg për kanabis
Aldo Rama ishte liruar nga burgu ne 6 maj 2021 nga gjykata e Lezhës e cila kishte vendosur masën e sigurisë arrest në shtëpi.
Po ashtu, gjykata e Lezhës e ka dënuar Ramën me 5 vite burg për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike, por më pas është dënuar me 3 vite e 4 muaj për shkak të moshës së re.
Aldo Rama ka qenë në arrest shtëpie pasi ishte arrestuar më herët me 30 doza hashash si person që shpërndante dhe kultivonte drogë në Lezhë.
Ai është rritur nga gjyshi i tij pasi, prindërit i janë ndarë në moshën 12-vjeçare
Ora 15:54 Konfirmon policia: Aldo Rama është vetëplagosur, autor i vrasjes së efektivit të policisë Saimir Hoxha
Dyshohet është vetëplagosur me armë zjarri Aldo Rama, autori i vrasjes së efektivit të policisë Saimir Hoxha, 44 vjeç babai i dy fëmijëve.
Mësohet se Aldo Rama se ka qëlluar veten gjatë operacionit policor për kapjen e tij.
Sipas policisë, efektivët i kanë bërë thirrje që të dorëzohet, por ai ka kundështuar dhe më pas është vetëplagosur me armën e tij.
Ora 14: 12 Autori i vrasjes së Oficerit të Krimeve qëlloi dhe drejt helikopterit të policisë
Policia e Lezhës ka lokalizuar vendodhjen e 21-vjeçarit Aldio Rama, i cili dyshohet si autor i ekzekutimit të oficerit të krimeve në Lezhë Saimir Hoxha, 44 vjeç. Ora News mëson se është rrethuar gjithë zona e lagunës së Kune-Vainit në Ishull Lezhë. Mësohet se lokalizimi i tij u bë pasi ka qëlluar dy herë në drejtim të helikopterit që po kontrollonte për vendodhjen e tij.
13:05 20 mije euro shperblim per koken e Aldo Rames
Policia vë në dispozicion shpërblimin 20 mijë euro për arrestimin e Aldo Ramës, djalit të akuzuar si ekzekutori i oficerit të krimeve Saimir Hoxha.Mësohet se Aldo Rama ka qenë në arrest shtëpie pasi ishte arrestuar me 30 doza hashash si person që shpëndante drogë në Lezhë.
"Shërbimet e Policisë po vijojnë kontrollet intensive me pika kontrolli të lëvizshme, kontrolle në banesa, lokale e ambiente të ndryshme, si dhe po vijon krehja masive e territorit, për të bërë të mundur kapjen e autorit të dyshuar të vrasjes së oficerit të Policisë, i cili ishte duke kryer detyrën.
Krahas punës intensive për kapjen e autorit, Policia e Shtetit kërkon ndihmën dhe bashkëpunimin e qytetarëve, për të bërë të mundur lokalizimin dhe kapjen e tij.
Për çdo informacion të vlefshëm që do çojë në lokalizmin dhe kapjen e autorit, shtetasit Aldi Rama, 21 vjeç, Policia e Shtetit ka vënë në dispozicion 20 mijë euro, duke iu garantuar anonimat të plotë dhe të sigurt.
Për informacione të vlefshme, qytetarët të telefonojnë në numrin 0694110853."
12:58 Detaje nga dinamika e vrasjes së oficerit të krimeve: U godit me 10 plumba
Zbulohen detaje nga vrasja e policit të krimeve Saimir Hoxha paraditen e sotme në Lezhë. Mësohet se tre policë kanë qenë në postbllok kur kanë ndaluar një automjet me 3 persona brenda.
Autori i dyshuar, Aldo Rama ka qenë në sediljen e pasme të makinës, sapo polici i është afruar u ka kërkuar kartat e identitetit.
Në këtë moment Aldo ka qëlluar me armë. Drejt grupit të patrullës janë qëlluar 10 plumba.
Dy policët e tjerë janë ndërhyrë duke arrestuar dy personat që ndodheshin në sediljen e parë ndërsa Rama ka arritur të largohet.
12: 31 Vrasja e policit në Lezhë, policia po kërkon me helikopter autorin
Policia ka ngritur një helikopter në ajër për kërkimin dhe kapjen e 21-vjeçarit Aldo Rama, i dyshuar si autor i vrasjes së oficerit të krimeve Saimir Hoxha, 44 vjeç, nga qyteti i Pukës. Kërkimet po vijojnë dhe nga toka nga policia e Lezhës dhe forcat RENEA.

12: 00 Identifikohet autori i vrasjes
"Në vijim të informacionit paraprak, falë veprime të shpejta hetimore u bë i mundur identifikimi i autorit të dyshuar të vrasjes së oficerit të Policisë në Komisariatin e Policisë Lezhë.
Autori i dyshuar është shtetasi Aldo Rama, 21 vjeç, i dënuar më parë për prodhim dhe shitje të narkotikëve dhe mbajtje pa leje të armëve të ftohta, i cili është larguar me automjet nga vendngjarja. Vijon puna intensive për lokalizimin dhe kapjen e tij.
Grupi i posaçëm hetimor ndodhet në vendngjarje dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë vijon punën për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje kriminale" informon policia e shtetit.
11:30 - Ky është oficeri i krimeve i vrarë sot në Lezhë, FNSH rrethon zonën për arrestimin e autorit të identifikuar
Saimir Hoxha, 44 vjeç, nga qyteti i Pukës, është oficeri i krimeve që mbeti i vrarë sot paradite pasi së bashku me kolegët ishte pjesë e një grupi të kontrollit të territorit për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike.
Shërbimet e Policisë kanë rrethuar zonën me qëllim kapjen e autorit të dyshuar, i identifikuar si Aldo Rama, 21 vjeç.

11:00 Do kontrollonte për parcela me kanabis u qëllua në drejtim të tyre
Policia deklaron se vrasja ka ndodhur rreth orës 10:30 dhe se oficeri i krimeve ishte pjese e një grupi kontrolli të territorit për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike.
"Rreth orës 10:30 ,në Ishull Lezhë ,në rrethana ende të paqarta është qëlluar me armë zjarri në drejtim të grupit të kontrollit të territorit për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike.
Si pasojë është plagosur me armë zjarri oficeri i Krimeve në Komisariatin e Policisë Lezhë shtetasi S. H., 44 vjeç, i cili për pasojë të plagëve të marra ka ndërruar jetë gjatë rrugës për në spitalin Rajonal Lezhë.
Shërbimet e Policisë kanë rrethuar zonën me qëllim kapjen e autorit.
Në ndihmë të Policisë lokale janë nisur forcat speciale Renea, grupe të FNSH-së dhe një grup i posaçëm hetimor nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit për të bërë të mundur zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve."
10:57 Vritet oficeri i krimeve
Të shtëna me armë në ishull Lezhë. Vritet oficeri i policisë Saimir Hoxha.
Mësohet se oficeri i krimeve ka qenë pjesë e një operacioni policor që u ndërmor në Kune Vain.
44 vjeçari ka mbetur i vrarë, ndërkohë autori është identifikuar nga policia, informon Ora News.
Saimir Hoxha mbante detyrën e oficerit të krimeve në policinë e Lezhës.
