Ky është oficeri i krimeve i vrarë sot në Lezhë, FNSH rrethon zonën për arrestimin e autorit të identifikuar
Saimir Hoxha, 44 vjeç, nga qyteti i Pukës, është oficeri i krimeve që mbeti i vrarë sot paradite pasi së bashku me kolegët ishte pjesë e një grupi të kontrollit të territorit për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike.
Rreth orës 10:30, në Ishull Lezhë, në rrethana ende të paqarta është qëlluar me armë zjarri në drejtim të grupit të kontrollit të territorit për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike.
Si pasojë është plagosur me armë zjarri oficeri i Krimeve në Komisariatin e Policisë Lezhë shtetasi S. H., 44 vjeç, i cili për pasojë të plagëve të marra ka ndërruar jetë gjatë rrugës për në spitalin Rajonal Lezhë.
Shërbimet e Policisë kanë rrethuar zonën me qëllim kapjen e autorit të dyshuar, i identifikuar si Aldo Rama, 21 vjeç.

"Autori i dyshuar është shtetasi Aldo Rama, 21 vjeç, i dënuar më parë për prodhim dhe shitje të narkotikëve dhe mbajtje pa leje të armëve të ftohta, i cili është larguar me automjet nga vendngjarja. Vijon puna intensive për lokalizimin dhe kapjen e tij" njoftoi policia.
Në ndihmë të Policisë lokale janë nisur forcat speciale Renea, grupe të FNSH-së dhe një grup i posaçëm hetimor nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit për të bërë të mundur zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.
