Ju vidhte kartat e identitetit pacientëve në spital për kredi, në pranga infermierja, arrestohet dhe shitësja

Një infermiere dhe një shitëse kanë rënë në prangat e policisë së Tiranës.

Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë ka zhvilluar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Elektro”, në kuadër të të cilit u bë ndalimi i shtetaseve Elisabeta Bardhollari, 39 vjeçe dhe Orjada Hoxha, 32 vjeçe, të dyja banuese në Tiranë.

Gjithashtu u procedua penalisht shtetasi A. H.

Nga hetimet e policisë ka rezultuar se shtetasja Bardhollari, e punësuar si infermiere në spital, vidhte kartat e identitetit të pacientëve që shkonin për mjekim dhe më pas ia jepte shtetases Orjada Hoxha, e cila punonte si shitëse në një subjekt privat që tregtonte pajisje elektroshtëpiake.

Kjo e fundit i përdorte kartat e identitetit për të marrë kredi, me qëllim për të blerë pajisje të ndryshme në dyqanin ku punonte, të cilat transportoheshin nga shtetasi A. H. dhe më pas i shisnin në bashkëpunim me njëri-tjetrin.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrohen pajisje të ndryshme elektroshtëpiake, me vlerë rreth 40.000.000 lekë.

Nga ana e policisë po punohet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë skemë mashtrimi dhe vënien e tyre para drejtësisë.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të metejshme hetimore.