Publikohen pamjet/ Me helikopter e snajper, policia 6 orë në ndjekje të 21-vjeçarit që vrau oficerin
Janë publikuar pamjet e ndjekjes nga RENEA të 21-vjeçarit Aldi Rama në lagunën e Kunë – Vainit ku ishte fshehur pas vrasjes së nënkomisarit Saimir Hoxha.
Menjëherë pasi e qëlloi me plumb në zemër 21-vjeçari Rama, u arratis në zonën aty pranë.
Në vendngjarje menjëherë arritën forcat speciale RENEA, ndërsa në ndihmë të efektivëve nga toka u vendos edhe helikopteri i policisë që monitoronte territorin nga ajri.
Me makina të blinduara, dhe me snajpera, forcat speciale kontrolluan për orë të tëra çdo centimetër të territorit të Ishull-Lezhë, ku kishte dyshime që mund të fshihej autori.
Pas disa orësh kërkime, helikopteri e lokalizoi 21 vjeçarin, ndërsa ai qëlloi me armë drejt helikopterit dhe arriti që të shpëtonte sërish.
Por, jo për shumë kohë. Pas 6 orësh kërkimesh intensive, pak para orës 16:00 të së martës policia arriti që ta rrethonte Aldi Ramën, dhe teksa efektivët i kanë kërkuar atij që të vetëdorëzohet, ai ka qëlluar veten në një tentativë vetëvrasje.
21-vjeçari u dërgua në spitalin e Lezhës, ku mori ndihmën e parë mjekësore, ndërsa më vonë u nis drejt spitalit të Traumës në Tiranë në gjendje të rëndë shëndetësore./OraNews/
