Qëlloi veten me plumb në kokë, mbërrin në spitalin e Traumës autori i vrasjes së oficerit në Lezhë
Ka mbërritur në Tiranë, në spitalin e Traumës 21-vjeçari Aldi Rama, që vrau me dy plumba në zemër oficerin e Krimeve të Rënda, 44-vjeçarin Saimir Hoxha.
Mësohet se Aldi Rama ndodhet në gjendje të rendë, i intubuar.
Ai sapo është futur në sallën e operimit për tu bërë ekzaminimet e mëtejshme.
I riu ekzekutoi policin gjatë aksionit për zbulimin e parcelave me kanabis në Lezhë, ndërsa qëlloi veten me plumb në kokë pas disa orësh ndjekjeje nga Policia e Shtetit, FNSH dhe RENEA.
21-vjeçari fillimisht, u dërgua në spitalin e Lezhës dhe më pas u nis drejt spitalit të Traumës në Tiranë.
Gazetarja e Ora News, Nertila Dosti bën me dije se Aldi Rama ka mbërritur me një ambulancë nga spitali rajonal i Lezhës, i shoqëruar edhe me një furgon policie dhe efektivë të forcave Shqiponja.
Nga informacionet e para, 21-vjeçari ka plagë në kokë. Në vijim pritet të konfirmohet dhe gjendja e tij shëndetësore nga mjekët e spitalit të Traumës.
Në ambientet e spitalit të Traumës nuk kanë qenë të pranishëm familjarë apo të afërm të 21-vjeçarit. /OraNews/
